Një “luftë tjetër” që nga paslufta: Aksidentet në trafik ua kanë marrë jetën 2,523 personave në Kosovë

Që nga paslufta kanë vdekur 2 mijë e 523 persona nga aksidentet në trafik dhe ky numër konsiderohet alarmant, ndërsa mesatarisht në vit numri i aksidenteve me fatalitet është 122.

Kjo u bë e ditur nga Policia e Kosovës në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Përkujtimit të Viktimave në Trafikun Rrugor, në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit, gjegjësisht Këshillin e Sigurisë në Trafikun Rrugor dhe me Shoqatën e Sigurimeve të Kosovës.

Këto institucione morën iniciativën për shënimin e “Ditës Ndërkombëtare pa Viktima në Trafik”, duke organizuar fushata vetëdijësuese për të rinjtë, respektivisht studentët e universiteteve publike në Republikën e Kosovës.

Me qëllim të përmbledhjes së aktiviteteve në shënim të kësaj dite ndërkombëtare të sigurisë, është organizuar një tryezë e përbashkët ku u paraqiten ngjarjet kryesore nga kjo iniciativë, vizitat dhe efektet që ka arritur shënimi i fushatës.

Nënkoloneli Jeton Rexhepi, drejtor i Divizionit të Komunikacionit nga Policia e Kosovës, theksoi se 2 mijë e 523 persona kanë vdekur që nga pas lufta në trafikun rrugor, ndërsa këtë vit është ul shkalla e vdekshmërisë krahasuar me vitin e kaluar.

Rexhepi theksoi se shkaktar të aksidenteve me fatalitet është mos përshtatja e shpejtësisë në rrugë.

Fejzullah Mustafa, nga Këshilli i Sigurisë për Siguri në Trafik në Ministri tha se në shërbim të kësaj dite kanë organizuar aktivitete që kanë për qëllim rritjen e vetëdijesimit për të rinjtë.

Edhe drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve, Sami Mazreku tha se shënimi i kësaj dite është qëllimi që të rritet vetëdijesimi për uljen e aksidenteve në trafik.

Ai tha se kompanitë e sigurimeve kanë paguar 400 milionë euro dëmshpërblim që nga pas lufta. Ndërsa, vetëm në këtë vit janë paguar mbi 22 milionë euro. Kurse, 40 milionë euro janë dëmet e këtyre kompanive nga veturat e paregjistruara.

Po ashtu, duke qenë se kjo ditë shënohet ndërkombëtarisht nga shumë institucione relevante, edhe tek ne kjo ditë merr vëmendjen e duhur me qëllim të rritjes së vetëdijes së qytetarëve dhe pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion rrugor. Motoja e kësaj fushate është “Jeta nuk është pjesë e veturës”./kp

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë