Tanja Fajon: Liberalizimi i vizave në duart e shteteve të BE-së, Kosova ka përmbushë kriteret

Eurodeputetja sllovene dhe raportuesja për liberalizimin e vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon në një intervistë për lajmi.net ka ripërsëritur se Kosova ka përmbushur kriteret sa i përket liberalizimit të vizave.

Ajo ka thënë se është koha që BE-ja t’i përmbushë premtimet dhe se shpreson se çështja e liberalizimi të vizave për Kosovën do të kthehet në tavolinë gjatë presidencës së Finlandës.

Se a do të jetë Kosova në agjendën e Komisionit Evropian në dhjetor të këtij viti, Fajon thotë se pret nga KE dhe presidenca Finlandeze që të jenë më të përkushtuar për këtë çështje.

Duke folur për lajmi.net, Fajon ka thënë se i ka nxitur ata që të rivendosnin përsëri në agjendë liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Siç e dimë, Kosovës iu dha drita e gjelbër për liberalizimin e vizave nga Parlamenti Evropian në muajin prill. Supozohet se Komisioni i ri Evropian (KE) do ta nisë punën në dhjetor. Unë pres prej KE-së dhe kryesimit të Finlandës të jenë më të përkushtuara ndaj kësaj çështjeje. Unë u kam bërë thirrje atyre ta kthejnë në agjendë çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Unë mbaj qëndrimin e njëjtë: Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet të cilat është pritur nga ajo t’i plotësojë. Është e nevojshme që BE-ja ta mbajë premtimin e vet”, ka thënë Fajon për lajmi.net.

“Në kohët e fundit, ne në Parlamentin Evropian dhe grupi S&D kemi mjaftë dështime në çështjet e Ballkanit Perëndimor. Është koha ta nisim t’i përmbushim premtimet, gjithashtu. Sa i përket kësaj, unë sinqerisht shpresoj se çështja e liberalizimi të vizave për Kosovën do të kthehet në tryezë gjatë presidencës së Finlandës”, ka thënë Fajon në një përgjigje më shkrim për lajmi.net.

Ndërsa sa përket pozicionit të Francës karshi Kosovës, Fajon ka thënë se nuk beson se ngjarjet e fundit, ku Franca u shpreh kundër zgjerimit të BE-së, lidhen me liberalizimin e vizave për Kosovën.

Fajon potencon se pret që Franca të mos ketë qëndrim të njëjtë për liberalizimin e vizave, pasi këto janë dy çështje të ndryshme.

“Në lidhje me ngjarjet e fundit, në veçanti qëndrimin e Francës e cila tha se është kundër zgjerimit të mëtutjeshëm të BE-së, pres që ajo të mos e ketë qëndrimin e njëjtë edhe për liberalizimin e vizave. Këto dy çështje janë të pakrahasueshme. Ne, Parlamenti Evropian dhe institucionet e tjera të BE-së, nuk i shohim këtu dy çështje të njëjta”, ka deklaruar Fajon.

Eurodeputetja sllovene shpreh keqardhje që Franca së fundmi mori vendim për ta bllokuar hapjen e bisedimeve për pranimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, vendim të cilin ajo e sheh si gabim të madh politik.

Atyre që mendojnë se mosnjohjen e Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së mund të mund të pezullojë këtë çështje, Fajon ua kujton së BE-ja e hoqi regjimin e vizave për Tajvanin edhe pse nuk e njohim shtetin e tyre.

Sipas saj liberalizimi i vizave është diçka që i prekë njerëzit e zakonshëm dhe sipas saj nuk duhet të shihet si problem politik.

“Më vjen keq që Franca së fundmi mori vendim për ta bllokuar hapjen e bisedimeve për pranimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Sipas mendimit tim, ishte një gabim i madh politik. Shpresoj se Franca do ta kuptoj shumë shpejt se ne, BE-ja, nuk mund t’ia lejojmë vetes dështimet e tilla në të ardhmen. Është koha të përmbushen premtimet. Po ashtu, kur flasim për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe ata që sjellin në mendje mosnjohjen e Kosovës nga pesë vendet anëtare, atyre thjesht ua kujtoj se BE-ja e hoqi regjimin e vizave për Tajvanin edhe pse ne nuk e njohim shtetin e tyre. Liberalizimi i vizave është diçka që i prek njerëzit e zakonshëm, është i rëndësishëm për të gjithë popullin e Kosovës, prandaj nuk duhet të shihet si problem politik”, ka potencuar Fajon për lajmi.net.

Raportuesja për Kosovën, njëherësh deputetja më e zëshme më Parlamentin Evropian pro liberalizimit të vizave për Kosovarët thotë se nuk mund të jap datë se kur kosovarët mund të lëvizin lirshëm, por që shpreson se këshilli do të jap dritën e gjelbër dhe pastaj, siç deklaroi ajo, rregullorja mund të aprovohet shumë shpejtë.

Sipas saj, topi tanimë është në duart e qeverive të BE-së. Fajon sërish ka siguruar qytetarët e Kosovës se do të bëjë gjithçka që të lëvizin lirshëm drejt shteteve të BE-së.

Në fund Fajon u ka bërë thirrje liderëve të Kosovës që të bashkëpunojnë në implementimin e të gjitha kërkesave për të larguar regjimin e vizave.

“Mendoj se do të ishte papërgjegjësi nga ana ime t’ju jepja një datë konkrete për liberalizimin e vizave, prandaj nuk do të doja të jepja ndonjë afat të saktë kohor. Dihet se sapo Këshilli ta japë dritën jeshile, rregullorja mund të aprovohet shumë shpejt. Topi është në oborrin e qeverive të BE-së. Mund t’ju siguroj se nga ana ime, si raportuese, do të bëj gjithçka në fuqinë time, për t’ua mundësuar qytetarëve të Kosovës të lëvizin pa viza sa më shpejt që të jetë e mundur. Në anën tjetër, unë u bëj thirrje të gjithë personave përgjegjës në Kosovë: bashkëpunimi juaj është i nevojshëm, zbatimi i të gjitha kushteve të nevojshme për heqjen e regjimit të vizave është tejet i rëndësishëm dhe të gjithë ne së bashku duhet të vazhdojmë me punë të zellshme”, ka thënë Fajon.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë