Isa Xhemajli: Nisma qëndron mbi pragun zgjedhor!

Gjatë ditës së djeshme Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka refuzuar t’i numërojë 4 mijë e 639 votat e diasporës, të cilat kishin ardhur me vonesë në Kosovë. Por mosnumërimi i këtyre votave nuk do të jetë pengesë për koalicionin Nisma – AKR – PD, pasi ata shprehen të bindur se edhe pa votat e diasporës e kanë kaluar pragun zgjedhor prej 5 për qind, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Mirëpo njëjtë nuk mendojnë njohës të rrethanave politike në vend, të cilët theksojnë se rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit aktualisht nuk është në anën e Nismës, që sipas tyre për 12 vota ka mbetur jashtë Kuvendit të Kosovës. Ata theksojnë se numërimi i votave të vonuara të diasporës do të mundë të ishte shansi i vetëm për këtë subjekt që të bëhet pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Në anën tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka dhënë ndonjë datë se kur do t’i shpallë rezultatet përfundimtare, kështu duke e lënë fatin e koalicionit Nisma – AKR – PD të papërcaktuar.

“Ligji parasheh se duhet të përfundohen të gjitha procedurat deri te shpallja e rezultatit përfundimtar. Por nuk ka ndonjë afat ligjor se kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të shpallë rezultatin përfundimtar të një procesi zgjedhor”, ka deklaruar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Edhe pa numërimin e votave të diasporës Nisma e ka kaluar pragun zgjedhor. Kështu ka deklaruar për “Zërin” kandidati për deputet i kësaj partie, Isa Xhemajlaj, i cili është shprehur se aktualisht me të gjitha numërimet që janë bërë Nisma qëndron mbi pragun zgjedhor.

“Po, Nisma e ka kaluar pragun zgjedhor sipas informacioneve që i kemi. Me të gjitha numërimet deri tash ne qëndrojmë mbi pragun zgjedhor. Dhe, sipas informacioneve, me rezultatet që i kemi ne do të bëhemi pjesë e Kuvendit të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Xhemajlaj theksoi se partia e tij ka qenë kundër numërimit të votave nga Serbia, të cilat, siç thotë ai, kanë ardhur në mënyrë të kontrabanduar dhe nuk është dashur të numërohen. Në rast të kalimit të pragut zgjedhor Xhamajlaj nuk e mohoi mundësinë e inkuadrimit të Nismës në qeverinë e re.

“Ende nuk kemi vendosur se a do të jemi pjesë e qeverisë, ende nuk kemi diskutuar në organet e partisë. Por nuk e përjashtojmë asnjërën mundësi. Ne asnjëherë nuk e kemi përjashtuar inkuadrimin në qeveri e as qëndrimin në opozitë. Do të shikojmë si të veprojmë”, ka shtuar ai.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë