Policia njofton për masat e marra para ndeshjes Kosovë – Danimarkë

Kosova sot luan ndeshjen testuese kundër kombëtares së Danimarkës, në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, në Prishtinë.

Kjo ndeshje do t’i shërbej kombëtares së drejtuar nga Bernard Challandes për përgatitje para ndeshjes së parë në eliminatoret e Euro 2020, kundër Bullgarisë.

Për ndeshjen që do të fillojë në ora 19:00, Drejtoria Rajonale e Policisë – Prishtinë, ka marrë disa masa, për të cilat ka njoftuar qytetarët.

Policia e Kosovës ka njoftuar edhe për rrugët që do të jenë të bllokuara gjatë ditës.

Njoftimin e plotë të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, ua përcjell më poshtë lajmi.net.

“Ju njoftojmë se pas pranimit të kërkesës nga Federata e Futbollit të Kosovës, për ndeshjen e futbollit , e cila do të zhvillohet sonte, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Drejtoria Rajonale e Policisë –Prishtinë, ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura policore për të ofruar siguri për të gjithë pjesëmarrësit si dhe ka ndërmarrë masat e nevojshme për të përcaktuar lirimet, kufizimet, bllokimet e plota apo të pjesshme të segmenteve të caktuara rrugore në kryeqendër, me qëllim të rregullimit të qarkullimit rrugor dhe drejtimit të trafikut, në mënyrë që të krijohet rrjedhshmëri normale në trafik si dhe një ambient i qetë dhe i sigurt”.

Policia e Kosovës për të evituar bllokadat në rrugë, kolonat e gjata të automjeteve, për të mundësuar një qarkullim normal do të veprojë në të gjitha rrugët të cilat lidhen me stadiumin “Fadil Vokrri”, duke formuar pikat e kontrollit me qëllim të ndalimit dhe udhëzimit të automjeteve, si dhe vendosjen e regullit përgjatë atyre rrugëve.

Në këtë kontekst, policia, prej orës 11:00, do të ndërpresë qarkullimin dhe ndalojë parkimin e të gjitha automjeteve në rrugët: Enver Zymberi dhe Rinia.

Bllokimet dhe kufizimet në zonën përreth stadiumit do të bëhen, bazuar në vendimin e lëshuar nga Komuna e Prishtinës, respektivisht Drejtoria për shërbime Publike.

Andaj, për të përballuar sa më lehtë rrethanat që do të paraqiten në qarkullimin rrugor, kërkojmë ndihmën, besimin dhe mirëkuptimin e gjithë qytetarëve dhe veçanërisht lusim qytetarët e kryeqytetit që të shmangin lëvizjet e tyre drejt stadiumit të qytetit me vetura.”

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë