Kosova një vit pa njohje, pse u ndalën ato?

Në arenën ndërkombëtare Kosova po përballet me telashe që po ia bëjnë të pamundur etablimin si shtet i pranuar brenda sistemit ndërkombëtar. Vendit nuk po i vijnë më shpesh njohjet sikur në vitet e para të shtetësisë e as nuk po i hapen dyert për anëtarësim në organizata të rëndësishme ndërkombëtare. Kuptohet një sherr të madh Kosovës për këtë është duke ia bërë Serbia e ndihmuar nga Rusia. Por, një arsye tjetër sipas analistit Astrit Gashi është se institucionet i kanë ndalur përpjekjet për të siguruar më shumë njohje.

Diplomacia kosovare po vazhdon të ngecë, që një vit shteti ynë nuk ka marrë asnjë njohje të re. Viti i kaluar është viti me më sa paku njohje brenda një dekade pavarësi. E për këtë ngecje zyrtarë nga Ministria e Punëve të Jashtme thonë se duhet të ndodh njohje kolektive, përmes anëtarësimit të Kosovës në OKB

Shteti i fundit që e ka njohur pavarësinë e Kosovës është Barbadosi, kjo ka ndodhur në shkurt të vitit 2018. Ndërkohë, Serbia vazhdimisht po lobon për pengimin dhe anulimin e njohjeve të shtetit të Kosovës. Mediat serbe raportojnë se shtete të ndryshme po e heqin njohjen e Kosovës, sipas tyre deri me tani ata kanë bindur disa shtete për ta bërë këtë veprim.

Për këtë çështje Gazeta Express ka biseduar me këshilltarin e ministrit Pacolli, Fatmir Haxhollin. Ai ka thënë se është duke ndodhur zgjerimi i rrjetit diplomatik. Duke shtuar se duhet të ndodhë njohje kolektive.

“Në funksion të rritjes së numrit të vendeve që e njohin Republikën e Kosovës, është duke ndodhur zgjerimi i rrjetit diplomatik, pra po hapen misione të reja. Njohja nga 116 vende, një numri që deri diku i ofrohet 2/3 të vendeve të botës, shumica e tyre njohje kualitative, strategjike, me një numër ku pothuaj 5/6 janë vende të fuqishme anëtare të Bashkimit Evropian, duhet ta themi se kemi hyrë në një kapitull të ri, ku krahas numrit të ri të njohjeve, duhet të ndodh edhe njohja kolektive”, tha Haxholli.

“Pra në të ardhmen duhet të ndodh njohja kolektive, përmes anëtarësimit në OKB. Sidoqoftë Opinioni i GjND-së, si institucioni më i lartë i drejtësisë i OKB-së, ka qenë një formë implicite e Njohjes Kolektive, edhe nga OKB”, tha Haxholli për Express.

Por, mungesën e njohjeve e sheh ndryshe analisti politik Astrit Gashi. Ai thotë se më shumë njohje Kosovës i kanë sjellur shtetet e Quintit sesa Ministria e Jashtme.

“Shtetet e Quintit në radhë të parë SHBA kanë qenë Ministria e Jashtme e Kosovës. Këto shtete kanë përmbushur numrin e njohjeve që kanë mundur ti sjellin ato përmes vendeve në të cilat kanë pasur ndikim. Gjithashtu nëpër vite prioritetet e politikës së jashtme të tyre kanë ndryshuar dhe vatra të reja krizash janë hapur në botë, duke e shtyer Kosovën jashtë prioritetit. Kjo është arsyeja kryesore”, tha Gashi për Express.

E për propagandën që Serbia vazhdimisht e bën në adresë të Kosovës, Haxholli thotë se shteti i tyre do të mbetet më i vetmuari në rajon dhe Europë.

“Duhet ta afirmojmë faktin që Kosova, duke qenë anëtare e dhjetra organizatave rajonale, evropiane e botëtore, përmes tyre ka pranuar kolektivisht shtetësinë e saj. Në anën tjetër, Serbia ka ngecur në një rrugë qorre, dhe ndonëse është në kërkim të një Strategje Dalëse(Exit Strategy), për tu pajtuar me faktin se duhet ta njohë Kosovën, po shihet se ajo nuk është mësuar të ecë, pa qenë e shtyrë nga ndonjë fuqi të ciles nuk mund t’i bëjë ballë. Pa e njohur Kosovën, Serbia do të vazhdoj të mbetet shteti më i vetmuar në rajon dhe evropë”, tha Haxholli.

Më tej, Gashi ka numëruar edhe disa arsye tjera të mungesës së njohjeve.

“E dyta është se Kosova i pat ndalur përpjekjet e saj për të siguruar njohje duke u vetkënaqur me ato që i kishim. Dhe e treta që derisa këto dy janë ndalur Serbia e ka shtuar aktivitetin e saj për të penguar apo hequr ato njohje që Kosova i ka siguruar përmes mënyrave të saj. Shumë aktivitete e shumë para janë investuar dhe po investohen nga Serbia. Natyrisht atyre ju vije edhe ndihma nga Rusia. Aktivitetet e Serbisë janë ndihmuar vitin e fundit edhe nga potencimi i një marrëveshjeje të re mes Kosovës dhe Serbisë, e cila të shumë shtete ka ndihmuar argumentimin serb se Kosova nuk mund të konsiderohet si shtet”, ka përfunduar ai.

Më 17 shkurt, Kosova ka shënuar 11 vjetorin e pavarësisë. Për 11 vjet të shtetësisë, Kosovën e kanë njohur 116 shtete.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë