Thaçi: Kosova ka aspiratë jetike anëtarësimin në NATO dhe BE
Sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një letër dërguar ekzekutivit kosovar e ka konfirmuar rritjen e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Aleancës Veri-Atlantike.
Për këtë çështje ka folur edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka thënë se Kosova do të përfitojë nga aktivitetet dhe programet e ndryshme që do t’ia ofrojë NATO-ja.
Në një postim në “Facebook”, Thaçi ka shkruar se Kosova ka aspiratë jetike anëtarësimin në NATO dhe BE.
“NATO sot konfirmoi se marrëdhëniet e Kosovës dhe Aleancës Veri-Atlantike tani e tutje do të kenë një kualitet tjetër të bashkëpunimit. Ndër të tjera, republika jonë e re do të përfitojë nga aktivitete dhe programe të ndryshme të ofruara nga NATO”, ka shkruar Thaçi.
“Zotimi i Aleancës është obligim për ne, por edhe mirënjohje për politikën tonë të dialogut e bashkëpunimit. Kosova ka aspiratë jetike anëtarësimin në NATO dhe BE, familje këto të popujve të lirë e të barabartë”.