Kush e fiton Drenasin?

Zgjedhjet lokale të 17 tetorit po afrojnë. Gara po bëhet gjithnjë e më interesante. Katër burra dhe dy gra janë kandidatë për të fituar zgjedhjet në Komunën e Drenasit, shkruan DrenicaOnline.
Partia Demokratike e Kosovës edhe në këto palë zgjedhjesh kandidon me Ramiz Lladrovcin. Nëse Lladrovci fiton garën, është mandati i dytë i plotë për të.
Lëvizja Vetëvendosje ka kandiduar për kryetar të Drenasit, Fejzi Kiqinën, vëllain e dëshmorit, Rasim Kiqina.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës sërish ka caktuar Arta Ahmetin për kryetare të Drenasit ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës, Anduena Gllarevën.
Janë edhe dy iniciativa qytetare garuese në këto zgjedhje.
Xhavit Drenori edhe njëherë i është futur garës për të marrë në duar timonin e Komunës. Ai po kandidon me iniciativën qytetare “Green për Drenas”, ku ka edhe listën e kandidatëve për asamble komunale në krye me Arbër Halilajn.
Driton Ajazi i pakënaqur me vendimin e kryetarit dhe kryesisë së PDK-së në qendër, ka vendosur ti futet garës jashtë partisë së tij.
“Dekada e re për Drenasin” është motoja e tij në zgjedhjet e 17 tetorit.