Për 50 vjet emigruan mbi 833 mijë kosovarë

Emigrimi i kosovarëve në shtete të ndryshme të botës kishte nisur shumë vjet më parë. Të dhënat e institucioneve në vend tregojnë se që nga viti 1969 deri në vitin 2017 kanë emigruar mbi 833 mijë kosovarë.
Shifra alarmante e emigrimit është nxjerrë në dhjetor të vitit 2018 nga Autoriteti Qeveritar për Migrim.
Sipas hulumtimit në fjalë, numri i popullsisë kosovare të emigruar dhe asaj me prejardhje kosovare (1969-2011) është vlerësuar të jetë 703,978 banorë, derisa në vitin 2017 vlerësohet të jetë 833,739 banorë.
“Pas vitit 2011 kryesisht emigruan të rinjtë e grup-moshave 25-44 vjeç të cilët përbënin 43.92% të popullsisë emigruese (mosha kryesore riprodhuese në aspektin e fertilitetit dhe asaj të fuqisë punëtore) derisa, dominonte grup-mosha 21-27 vjeç me 27.53%. Është interesant fakti se gjatë viteve 2011-2017, personat pas moshës së punës mbi 65 vjeç përbënin një numër të konsiderueshëm të emigrimit me 3.60% derisa në periudhën 1969-2011, kjo grup-moshe përbënte vetëm 1.3% të emigrimit kosovarë. Bazuar në të dhënat e disponueshme emigrantët kosovarë (2011-2017) kanë emigruar kryesisht në Gjermani dhe kohëve të fundit edhe në Francë, Itali dhe vendet Skandinave”, thuhet në hulumtim.
Përkundër emigrimit të madh, në Kosovë janë kthyer një numër i vogël i personave që kishin emigruar për vite të tëra nga Kosova.
Sipas të dhënave nga regjistrimi i popullsisë të vitit 2011 për periudhën 1969-2011 si dhe vlerësimeve të popullsisë (2011-2017) janë gjithsej 180,242 imigrantë (të kthyer) apo rreth 10% e popullsisë rezidente të Kosovës. Rreth 98% e të kthyerve kishin shtetësi kosovare, prandaj, shumica dërmuese e imigrantëve në fakt ishin të kthyer në vendin e tyre.