Shqipëria nuk bëhet pa diasporën
Po flitet shumë këto ditë për diasporën. Po çfarë është diaspora? Në rastin e Shqipërisë është një diell që na ngroh më pak se ҫ’e lejojmë. Nëse nuk do të ishte diaspora dhe kontributi ekonomik i emigrantëve, Shqipëria do ishte një vend shumë më i varfër.
Emigrantët kanë qenë, janë dhe do te jenë një nga dy motorët e zhvillimit ekonomik dhe demokratik të Shqipërisë.
Duke ikur, ata i kanë dhënë vendit po aq shumë sa ata që kanë qëndruar dhe këtë e them pa hezitim. Ne që jetojmë këtu përfitojmë nga kontributi i tyre.
Dikush më ka thënë se nëse ata shqiptarë që kanë ikur janë të marrë, ne që i kemi detyruar të ikin jemi të çmendur. Duhet të jetë e vërtetë.
Të marrët kanë ndihmuar që çmenduria jonë të jetë më pak e dëmshme.
Emigrantët kanë furnizuar ekonominë tonë duke punuar kudo nëpër botë, edhe për ti dhënë shpresë këtij vendi pa shpresë.
Por, para se të flas për diasporën, dua të them dy fjalë për emigracionin që vazhdon dhe vazhdon pa u ndalur.
Pse ikin shqiptarët më shumë se kushdo tjetër nga vendi i tyre?
Çfarë i shtyn të emigrojnë në këtë masë? Çfarë i mungon Shqipërisë? Uji, toka, ajri, dielli malet, deti, mineralet,lumenjtë?
Përkundrazi! Të gjitha këto i kemi në masën e duhur. Ajo që na ka munguar dhe do të na mungojë është shpresa për një qeverisje të mirë.
Shqiptarët nuk ikin nga thatësira, as nga uria, as nga lufta.
Ata ikin si viktima të qeverive të tyre.
Vitin e kaluar ikën 100 mijë.
Nëse ikja vazhdon dhe lindjet bien nën nivelin e mesatares evropiane, sigurisht që ne do të jemi një vend më i vogël në disa dekada. Fatkeqësisht, Shqipëria po zvogëlohet. Ajo po emigron ose po përton të shtohet. Shifrat flasin për një popull që vjen duke u tkurrur. Ne 25 vjet kemi humbur 1 milion, ne 50 vitet e ardhshme mund të humbim dhe gjysmë milioni nëse vazhdojmë me këto ritme.
Nëse para dhjetë vjetësh kemi pasur numrin më të lartë të lindjeve në Evropë, gati 16 në 1000 banorë, tani jemi pothuajse në 11 fëmijë për një mijë banorë dhe nëse nuk duam të zvogëlohemi më shumë se kaq, duhet të bëjmë dy gjëra: të frenojmë emigracionin duke nxitur kthimin e diasporës dhe të shtojmë apo stimulojmë lindshmërinë me çdo formë dhe çdo mjet, pa dyshim edhe financiar. Më pak shqiptarë do të thotë më pak punë, më pak të ardhura dhe më shumë varfëri.
Disa ditë më parë isha në Kukës. Ky qytet është realisht simboli i zbrazjes së Shqipërisë. Aty e kupton se çfarë i ka bërë qeverisja e keqe një populli që ka vetëm një bisedë, nga mëngjesi deri në darkë: si te ikim. Kur takoj njerëz kaq pesimiste nga veriu në jug, më duket sikur Shqipëria është kthyer në një burg për të varfrit. Ata duken si të zënë në çark, si të mbyllur në një kafaz.
Megjithatë, çështja sot për ne është kjo:
Emigrantët nuk na duhen vetëm për vota! Ata na duhen për të ndryshuar Shqipërinë. Ne ankohemi se në vend kemi punë por nuk kemi fuqi punëtore të kualifikuar.
E dini kush janë shqiptarët me te kualifikuar?
Janë emigrantët.
Jeta i ka detyruar të mësojnë zanate të cilat në vendin e tyre, ndoshta nuk do t’i merrnin kurrë. Emigracioni është shkolla më e mirë profesionale e shqiptarëve. Prandaj them se çështja është si t’i bindim këta njerëz të kthehen. A ka mundësi që një pjesë e tyre të kthehen dhe të investojnë këtu? Unë them se po.
Nëse 7 në 10 shqiptarë që jetojnë në Shqipëri duan të ikin nga Shqipëria, të paktën 6 emigrantë ne 10 duan të kthehen.
Nëse qeverisim më mirë Shqipërinë, emigrantët kanë më shumë arsye të vijnë. Nëse inkurajojmë investimet e tyre, ata mund ti grumbullojnë thërrmijat e kursimeve të jetës e të ndërtojnë këtu në turizëm, bujqësi dhe në shërbime.
Unë besoj se ka ardhur koha për një administratë diasporike. Djem dhe vajza të rritur apo të shkolluar jashtë, mund të jenë pjesë e administratës sonë. Nëse do të ishte për mua, një pjesë e gjykatësve dhe prokurorëve të rinj që do të ndryshohen për shkak të reformës në drejtësi, duhet të ishin detyrimisht nga diaspora.
Ata kanë të drejtë të venë drejtësi në një vend që i zboi për shkak të padrejtësisë.
Sensi i tyre i drejtësisë nuk ka mundur të deformohet për shkak të allishverisheve tona tradicionale.
Ata vijnë nga vende të lira dhe mund të na ndihmojnë ta bëjmë Shqipërinë një vend më të mirë dhe më të lirë.
A e dini çfarë fuqie ka diaspora nëse thirret nën armë?
Ja një rast:
Është Kombëtarja e Shqipërisë. Pa asnjë dyshim, suksesi i saj shkëlqen mbi të gjitha sukseset tona menaxheriale. Por çfarë është Kombëtarja jonë? As me shumë dhe as më pak, është një produkt i pastër diaspore. Djem të rritur në Evropë u bashkuan nën një flamur për të na dhënë suksesin më të madh sportiv në histori. Ata nuk na bënë vetëm krenarë por na treguan se si mund të administrohet një projekt shqiptar me kontribut diaspore. Këta djem janë shqiptarë që jetojnë në emigracion.
Diaspora ka fuqi të ndalë zbrazjen e vendit. Kthimi i tyre do ta bënte Shqipërinë më të madhe dhe do t’ua hiqte shumë të rinjve dëshirën për të vrapuar jashtë Shqipërisë, pa e kthyer kokën prapa.
Mendoj pra se ka ardhur koha që t’i bindim dhe ti frymëzojnë të kthehen. Jam i bindur se ata s’kanë marrë kurrë ofertën e duhur.
Ne duhet t’i ftojmë duke i dhënë fillimisht të drejtën e mohuar të votës, duke i integruar në administratë sa më shpejt si dhe duke stimuluar dhe mbrojtur investimet e tyre financiare. Shqipëria nuk bëhet dot pa diasporën dhe diaspora nuk jeton dot pa Shqipërinë!
Shkruan: Ben Blushi