Ky është personi që u kap në aksionin e Policisë në Shalë të Lipjanit, dyshohet për tentim vrasje, fajde e armë
Pas më shumë se katër muajsh, Policia ka arritur të arrestojë një person të dyshuar për rastin e tentim vrasjes, që ndodhi në muajin qershor, te gurthyesi ‘Arbëria’ në Shalë të Lipjanit. Dosja e të dyshuarit që ra në pranga të Policisë është e pasur edhe me vepra tjera penale. Arrestimin e tij e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.
Arrestimi i tij erdhi pas bastisjeve që janë kryer, ku në koordinim me Prokurorinë dhe Gjykatën, hetuesit policorë kanë ushtruar kontroll në shtëpinë dhe objekteve përcjellëse të tij.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se personi që u arrestua është Mentor Amerllahi, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.
Në shtëpinë e tij, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri, municion, si dhe gjësende të tjera që mund të përdoren si prova në procedurat e mëtejme.
Amerllahi po hetohet edhe për veprat “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armeve apo materieve plasëse” dhe për “Fajde“.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.