Polici i arrestuar u kap me zyrtarët e KEDS-it që i shkuan për t’ia ndërruar njehsorin, ekspozoi armën  

Inspektorati Policor i Kosovës ka prangosur sot pasdite një zyrtar policor në Viti, nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të “Kanosje” dhe “Pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”. Polici i dyshuar tashmë ndodhet në ndalim policor dhe ndaj tij kanë nisur hetimet, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se arrestimi i tij erdhi pas një sherri në të cilin ai u fut, duke i kërcënuar dhe penguar zyrtarët e KEDS-it, të cilët kanë qenë në detyrë dhe të asistuar edhe nga njësi policore, për ndërrimin e njehsorëve elektrikë.

Për shkak të dyshimeve se mund të ketë pasur manipulime, zyrtarët e KEDS-it kanë zbarkuar te shtëpia e policit të dyshuar për t’ia ndërruar njehsorin, por aty u përballën me ‘protestën’ e të njëjtit, i cili i pengoi në kryerjen e detyrave të tyre.

Sipas të njëjtave burime, polici dyshohet se edhe i ka kanosur ata, e madje duke ekspozuar edhe armën e pajisje të tjera që i posedonte si zyrtar policor.

Për këtë incident, është vënë në dijeni menjëherë IPK-ja, me ç’rast në koordinim me prokurorinë kanë ndërmarrë veprime hetimore pas të cilave zyrtari policor i dyshuar në këtë rast është arrestuar.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit për 48 orë.

IPK ka njoftuar se hetuesit në koordinim të plotë me Prokurorinë, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë