‘Katun e zanat’/ Fshati ku kufomat nuk varrosen, por varen në shkëmbinj
Në ishullin më të madh të Filipineve, Luzon, në fshatin e largët Sagada, i cili është rreth nëntë orë me veturë nga Manila, jeton populli Igorot, traditat e funeralit të të cilëve janë aq të veçanta sa janë bërë një tërheqje turistike, shkruan DailyMail.
Në ritualin e varrimit, i cili besohet të jetë më shumë se dy mijë vjet i vjetër, kufomat nuk varrosen, por lidhen ose varen në shkëmbinj lart mbi tokë.
Një rit i tillë funerali është unik për Filipinet, por praktika të tilla shpesh hasen gjatë historisë në pjesë të Kinës dhe Indonezisë.
Dhe ndërsa gjetkë kjo traditë është braktisur, ajo vazhdon ende në Sagada. Edhe pse sot ka shumë më pak “funerale të varura” sesa në gjeneratat e mëparshme, Igorotët besojnë se tradita do të vazhdojë.
Zakoni i funeralit të Igorotit fillon edhe para se një person të vdesë. Pleqtë e formojnë me dorë arkivolin e tyre nga trungje druri dhe e gdhendin, zakonisht duke shkruar emrin e tyre në mënyrë që të dihet se kush shtrihet në të. Nëse dikush është i sëmurë ose shumë i dobët për të përgatitur një arkivol vetë, familja e tij e ndihmon atë.
Më parë, arkivolet ishin më të shkurtër, vetëm rreth një metër të gjatë, kështu që shpesh kockat e të vdekurve duhej të thyheshin për t’u futur në atë kuti shumë të vogël. Por, edhe pse tingëllon mizore, simbolika e arkivoleve të shkurtër ishte se “çdo gjë kthehet në fillim”, pra se i ndjeri kthehet në pozicionin e fetusit, në të cilin ka lindur. Sot, arkivolët e varur janë zakonisht më të mëdhenj – rreth dy metra të gjatë, por elementët e tjerë të traditës kanë mbetur të pandryshuar.
Ndonëse disa prej arkivoleve janë mbi njëqind vjeç, pamja e varrezave po ndryshojnë vazhdimisht pasi arkivolet prej druri kalben dhe shpërbëhen.