Vdes veterani dhe njëri nga themeluesit e parë të UÇK-së, Ali Shyqeri Mejzinolli nga Shala e Lipjanit

Ka ndërruar jetë veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Ali Shyqeri Mejzinolli, nga fshati Shalë i Lipjanit, njëri nga veprimtarët e hershëm të çështjes kombëtare.

Mejzinolli ishte ndër pjesëmarrësit dhe organizatorët e parë të protestave kundër regjimit serb, ndërsa veprimtarinë e tij atdhetare e kishte vazhduar edhe në ilegalitet. Më vonë, ai u bë njëri ndër themeluesit e parë të UÇK-së.

Gjatë luftës, shtëpia e tij në Shalë të Lipjanit ishte shndërruar në një pikë të rëndësishme të veprimtarisë humanitare dhe ushtarake. Ajo kishte shërbyer për aktivitetet e shoqatës humanitare “Nënë Tereza”, ndërsa më pas ishte vënë në dispozicion si spital ushtarak, ku ishin trajtuar shumë ushtarë të plagosur të UÇK-së.

Në këtë shtëpi kishte funksionuar edhe shtabi ushtarak në Shalë dhe ishin zhvilluar takime të shumta me delegacione ndërkombëtare.

Nga shtëpia e Mejzinollit ishte nisur edhe delegacioni i UÇK-së për në bisedimet e Rambujesë.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet në varrezat e fshatit Shalë të Lipjanit, në orën 15:30.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë
✕