Selim Pacolli: “Nëse nuk mund të ndihmosh, së paku mos pengo” – Njohja nga Kenia, rezultat i punës së gjatë të Behgjet Pacollit

Republika e Kenias është bërë shteti i 118-të që ka njohur zyrtarisht pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, një sukses që u finalizua me nënshkrimin e Presidentit William Ruto. Ky vendim historik është mirëpritur nga të gjitha institucionet e Kosovës, ndërsa ish-ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, ka nënvizuar se kjo arritje është fryt i një angazhimi të gjatë dhe të vazhdueshëm.
Afaristi dhe politikani Selim Pacolli ka reaguar pas këtij zhvillimi, duke thënë: “Nëse nuk mund të ndihmosh, së paku mos pengo.” Një mesazh i qartë që duket se i drejtohet atyre që nuk e kanë mbështetur këtë proces apo që kanë minimizuar rolin e Behgjet Pacollit në këtë njohje, transmeton portali DrenicaOnline.
Vetë Pacolli ka deklaruar në një intervistë për RTV Dukagjini se njohja nga Kenia nuk është rezultat i rastësisë, por i një pune të vazhdueshme që ai ka bërë për më shumë se një dekadë. Ai ka treguar se ka mbajtur marrëdhënie të mira me administratat e njëpasnjëshme në Kenia dhe se ka lobuar pa ndërprerje që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës.
Megjithatë, ai ka shprehur keqardhje që Ministria e Punëve të Jashtme nuk e ka mbështetur në këtë proces, duke theksuar se nuk ka pasur qasje në MPJD, përveç rasteve kur i është dashur të rinovojë pasaportën si çdo qytetar tjetër.
Njohja nga Kenia është një hap i rëndësishëm për Kosovën në rrafshin ndërkombëtar dhe një tjetër sukses i arritur falë diplomacisë joformale të Behgjet Pacollit, pavarësisht mungesës së mbështetjes institucionale./DrenicaOnline/