Mërgim Lushtaku viziton ish-udhëheqësit e UÇK-së në Hagë: “E vërteta jonë do të triumfojë”

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, ka vizituar sot ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, të cilët po përballen me procese gjyqësore në Hagë. Në një mesazh të ndarë pas vizitës, Lushtaku ka shprehur mbështetjen e tij të palëkundur ndaj tyre dhe luftës së drejtë për liri.

“Sot vizituam Çlirimtarët tanë: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. Me zemra të forta, shpirtra të qetë dhe krenari të palëkundur, ata dëshmojnë se e vërteta e luftës sonë të drejtë për lirinë e Kosovës nuk mund të sfidohet nga padrejtësitë”, ka shkruar Lushtaku.

Ai i ka përshkruar ish-udhëheqësit si simbol të sakrificës dhe qëndresës së popullit të Kosovës, duke theksuar bindjen se ata do të kthehen si heronj.

“Vendin e tyre e kanë mes nesh, aty ku historia i ka skalitur si heronj dhe burra të lirisë. Dhe aty do të kthehen, sepse drejtësia gjithmonë triumfon”, ka theksuar Lushtaku.

Postimi i tij është shoqëruar me hashtaget #LiriPërÇlirimtarët dhe #DrejtësiPërKosovën, duke përçuar mesazhin për drejtësi dhe unitet kombëtar.

Kjo vizitë e Lushtakut vjen në një moment të rëndësishëm për mbështetjen e figurave kryesore të UÇK-së, të cilët vazhdojnë të mbajnë një vend të veçantë në zemrat e qytetarëve të Kosovës.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë