Memli Krasniqi uron Presidentin Trump: Rizgjedhja e tij është dëshmi e forcës së demokracisë amerikane
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, i ka përcjell urimet më të përzemërta Presidentit Trump dhe popullit amerikan në një tjetër rrugëtim të përbashkët përpara.
“Rizgjedhja e Presidentit Trump është dëshmi e forcës së demokracisë amerikane”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka thënë se lidhja mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës shkon gjithmonë përtej politikës.
“Roli i SHBA-së në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë, shtetformimit dhe shtetndërtimit është dëshmi e një raporti të ndërtuar mbi vlera, besim dhe respekt të veçantë”, ka thënë lideri i PDK-së.
“Ndërsa Kosova vazhdon përpjekjet që të ndërtojë një të ardhme më të mirë, ne ritheksojmë përkushtimin e plotë për forcimin e aleancës sonë më të rëndësishme, duke rifuqizuar raportet Kosovë – SHBA, përmes mundësive të reja për bashkëpunim, zhvillim, paqe e stabilitet në rajonin tonë. Urime President Trump”, ka përfunduar ai.