Arrestohet zyrtari i mbrojtjes së afërt në Fushë Kosovë, kanosi dy policë në detyrë

Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve kanë njoftuar se është arrestuar dje një zyrtar policor në Fushë Kosovë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të “Kanosje”.

Inspektorati Policor kishte pranuar informacione nga Policia e Kosovës se ky zyrtar policor (zyrtar i njësisë për mbrojtje të afërt i cili ishte jashtë detyrës zyrtare) dyshohet se ka kanosur dy zyrtarë policorë  të kanë qenë në detyrë.

Dyshohet se kanosja ka ndodhur  pas një mosmarrëveshje në komunikacionin rrugor në rrugën “Dardania”, në kryqëzim me rrugën “Hajrullah Zymi”, pranë shkollës “Mihail Grameno” në Fushë Kosovë.

Pas pranimit të këtyre informacioneve, hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorinë  kanë ndërmarrë veprime hetimore pas të cilave zyrtari policor  i dyshuar në këtë rast është arrestuar kurse nga prokurori kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar.

Hetuesit e IPK-së  në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë