Sot, Kuvendi i Drenasit ka ofruar mundësi për dhënien në shfrytëzim të 51 pronave, nuk i ka dhënë askujt asnjë pronë komunale

Në pajtim me procedurat, Kryetari i Komunës së Drenasit ka propozuar në Kuvendin e Drenasit dhe me shumicën e votave të asamblistëve, është miratuar Lista paraprake e pronave të paluajtshme për dhënien në shfrytëzim afatgjatë për personat fizik dhe juridik, në pajtim me Ligjin nr. 06/l-092 për Dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës.

Komuna e Drenasit, ndjen për obligim të sqarojë qytetarët e Komunës së Drenasit, mediat dhe gjithë të interesuarit tjerë se janë keq informuar nga mediat të cilat kanë cituar disa anëtarë të Kuvendit sikur gjoja komuna sot “ka dhënë në shfrytëzim 51 prona për 99 vite”.

Pas miratimit të sotëm të kësaj liste paraprake, është hapur rruga për procedurat tjera ligjore. Fillimisht nga Kuvendi i komunës propozohet dhe votohet Komisioni që merret me këtë çështje i cili do të përbëhet nga anëtarët e Kuvendit, duke përfshirë pozitën e opozitën, anëtarë të ekzekutivit, ekspertët dhe përfaqësues nga shoqëria civile. Pas miratimit të këtij Komisioni nga Kuvendi i Drenasit dhe vlerësimit të ligjshmërisë nga ana e MAPL-së, merret vendim për shpalljen publike të pronave që vlerësohen të jepen në shfrytëzim. Komisioni përzgjedhë pastaj ofertat më të mira sipas kritereve në harmoni me Ligjin për dhënien në shfrytëzim të pronës publike.

Lista e pronave të përzgjedhura nga Komisioni për t’u dhënë në shfrytëzim, propozohet nga Komisioni në mbledhje të Kuvendit, dhe pastaj Kuvendi është ai që miraton, ose jo propozim vendimet e Komisionit për t’u dhënë në shfrytëzim pronat publike.

Me miratimin e pronave në Kuvend, vendimi dërgohet prapë për vlerësimin e ligjshmërisë në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe vetëm pas vlerësimit si të ligjshëm i procedurës për dhënien e pronës nga MAPL, hapet rruga e nënshkrimit të kontratës në mes të Kryetarit të Komunës dhe personit juridik ose fizik.

Këto janë procedura standarde ligjore të dhënies së pronës komunale në shfrytëzim, ndërsa një pjesë e mediave sikur gjoja “Komuna sot ka dhënë në shfrytëzim 51 prona komunale”, është keqinformim, sepse komuna sot, nuk ka dhënëasnjë pronënë shfrytëzim. .

Kryetari i komunës ashtu sikur edhe anëtarët e Kuvendit të Komunës së Drenasit kanë për qëllim të sigurojnë shfrytëzimin efektiv të pronës së paluajtshme të komunës për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, rritjen e vlerës së pronës së paluajtshme të komunës dhe përmbushjes së interesit të përgjithshëm.

Do të ishte fat për Komunën e Drenasit nëse lajmi i mediave do të ishte i saktë. Procedura për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme për investitorët, kompanitë vendore e ndërkombëtare, është procedurë më e gjatë, transparente dhe gjithmonë e zhvilluar mbi bazë ligjore. Komuna mirëpret investitorët dhe krijimin e vendeve të reja të punës, por, do t’i respektojë të gjitha procedurat, pavarësisht se kush do të shpreh interesim për shfrytëzim afatgjatë të pronës komunale.

Kuvendi i Drenasit, sot, ofroi mundësi për dhënien në shfrytëzim të 51 pronave e nuk i ka dhënë askujt asnjë pronë komunale në shfrytëzim. Qytetarët nuk duhet të bien pre e informatave të mangëta.

Lusim të gjitha mediat që kanë raportuar sot, të citojnë këtë komunikim zyrtarë të komunës dhe sqarimet e nevojshme për procedurat e dhënies të pronës komunale në shfrytëzim.

Ju faleminderit për mirëkuptim!

Më shumë