Drenasi po bëhet me stacion sizmik, ja ku do të ndërtohet dhe sa është vlera e tij
Është nënshkruar kontrata për ndërtimin e stacionit sizmik sekondar në rajonin e Drenasit. “Nika Pro-Ing Sh.P.K” është fituese e tenderit ndërsa vlera e kontratës është 14.452.88 euro, transmeton portali DrenicaOnline.
Kontrata është nënshkruar me 9 shtator ndërsa punimet pritete të përfundojnë me 6 dhjetor të këtij viti.
Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku dhe nënkryetari i Komunës së Drenasit, Arben Shala, kishin nënshkruar marrëveshjen për “Ndërtimin e stacionit sizmik sekondar” në qershor të këtij viti.
Në marrëveshje parashihet dhënia në shfrytëzim afatgjatë të pronës së paluajtshme të komunës për realizimin e projektit “Ndërtimi i stacionit sizmik sekondar”, i cili do të ndërtohet në zonën kadastrale në fshatin Kishnarekë të Drenasit.
Me këtë rast, Zëvendësministri Mjeku theksoi se Ministria e Ekonomisë, përkatësisht Shërbimi Gjeologjik i Kosovës, ka përgjegjësi ligjore për zhvillimin, monitorimin dhe raportimin e ngjarjeve sizmike, të cilat informacione janë shumë të rëndësishme për sigurinë e jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Ai po ashtu shtoi se që nga fillimi e deri më tani, përveç qendrës monitoruese dhe raportuese në Shërbimin Gjeologjik të Kosovës, Rrjetit Sizmik i Kosovës ka ndërtuar 6 stacione sizmike sekondare, në Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjilan, Mitrovicë dhe Rahovec, ndërsa ky do të jetë stacioni i shtatë i radhës, i cili do të kontribuojë në grumbullimin dhe saktësimin e informacioneve relevante për çështjet analitike të rrjetit sizmik të Republikës së Kosovës./DrenicaOnline/