Refuzimi i Ramës nga Kurti/ Lladrovci: E kemi prekur fundin si komb – absurde të kërkosh të llastohesh kur bën ndërskamca

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar të takohet me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, gjatë vizitës së tij nesër në Prishtinë, në kuadër të turit të tij ballkanik.

Kurti ka thënë se ka propozuar që të takohen në kuadër të mbledhjes së dy qeverive, e cila u anulua nga vetë Rama.

Lidhur me këtë refuzim të Kurtit dhe raportet Kosovë-Shqipëri, për Gazeta Blic ka folur ish ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Ramiz Lladrovci.

Ai thotë se nga deklaratat e Kurtit duhet brengosur dhe siç duket e kemi prekur fundit për keq.

“Nga këto që i tha Kryeministri Kurti, është për t’u brengosur, siç duket, e kemi prek fundin, për keq, si komb. E para, marrëveshjet e përgatitura nga ministrat e dy qeverive, mund të nënshkruhen edhe pa u takuar dy kryeministrat. Kjo është brengosja dhe habia ime e parë, së dyti, kushtëzimi apo shantazhi që del nga kërkesa, është i padobishëm”, thotë ai.

Sipas Lladrovcit, Rama e Kurti kanë të njëjtit titull, atë të kryeministrit, por që Rama ka përgjegjësi tjetër pasi është pjesë e NATO-s.

“Titulli që mbajnë Rama e Kurti – kryeministër, është i njëjtë si pozitë, por jo edhe për nga përgjegjësia. Z. Rama, në asnjë rast nuk mund të dalë përtej udhëzimeve dhe qëndrimeve të NATO-s, nuk mund t’i vë detyra vetes për nxitje e ashpërsim të situatës dhe jashtë çadrës së NATO-s, as t’i kthej kundër Shqipërisë aleancat tashmë të dëshmuara si pro shqiptare. Duhet pasur kujdes që Kosova të mos marrë rrolin e mizës së kalit, të sjellë vetëm mërzi”, vlerëson ish ambasadori.

Sa i përket takimit të Ramës me Osmanin e Konjufcën, i pari i komunës së Drenasit,  thotë se Rama do ta respektojë protokollin.

“Rama, ka vendosur të respektojë protokollin, përkundër klimës lokale, jo më kot atë e quajnë “gjigant”, për këtë është bindur edhe Këshilli i Evropës, edhe NATO-ja, edhe Parlamenti Evropian dhe institucionet ku merr pjesë Rama, madje edhe vendet e rajonit. Uroj që Presidenca dhe Kuvendi ta tejkalojnë ndodhinë me Qeverinë e Kosovës”, thekson Ramiz Lladrovci për Gazeta Blic.

Se sa mund të ndikojë ky refuzim në raportet Kosovë-Shqipëri, ish ambasadori thekson se kombi shqiptar është një dhe se çlirimi nga okupatori serb nuk do të ndodhte pa ndihmën e Shqipërisë.
“Kombi shqiptar është një, ashtu siç është një edhe kombi serb. Kushdo shet mend për kontributin e Shqipërisë për çlirim, duhet ta dijë se kurrë çlirimi nga okupatori serb nuk do të ndodhte pa Shqipërinë dhe impenjimin e plotë humanitar e diplomatik të saj. Për këtë duhet të jemi falënderues ditë e natë. Raportet Kosovë-Serbi, me Shqipërinë vetëm mund të lehtësohen, kur dihet se NATO-ja ia vë vijat strategjike të cilat respektohen dhe duhet të respektohen në Shqipëri”, potencon ai.

Lladrovci shton se politika ka hatërmbetje të shkurtra derisa shfaqet një problem më i madh, por që është absurde që të kërkosh të llastohesh dhe kur bën ndërskamca.

“Politika nuk është e shëndetshme për inatçorët apo për hakmarrësit. Politika i ka hatërmbetjet afatshkurtra, deri sa shfaqet problemi apo çështja më e madhe. Këto llogari e raporte duhet t’i njohin kryeministrat tanë. Por, është absurde që të kërkosh të llastohesh dhe kur bën ndërskamca. Shkurt, popullorçe, “nuk mund të jesh edhe djalë i kerrit, edhe dhëndër, edhe tupanxhi që dirigjon hapat e valles”. Bindja ime është se Kosova nuk e meriton të jetë dhe të trajtohet si mizë e kalit në rajon apo në Evropë”, deklaron Ramiz Lladrovci./Gazeta Blic/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë