Burri nga Tërsteniku ia sheh sherrin TikTok-ut, përfundon në telashe pasi postoi video duke shtënë me armë në ajër

Publikimi i videove e fotove të ndryshme në rrjetin social TikTok shpesh po i fut kosovarët në sherr me Policinë. Ata jo rrallë herë dalin të jenë merakli të mbajtjes së armëve, kryesisht pa leje dhe me ekspozimin e tyre në rrjete sociale, ata shpesh tentojnë të shfaqen si të “fortë” dhe të pakapshëm për organet e rendit, shkruan Gazeta Sinjali.
Sherrin ia TikTok-ut ia pa edhe një burrë në fshatin Terstenik të Drenasit, i cili përfundoi në Polici si pasojë e një videoje të publikuar ku shihej duke përdorur armë zjarri.
Sinjali mëson se 46-vjeçari kishte publikuar një video ku shihej duke shtënë disa herë në ajër me pushkë automatike dhe pas informacioneve të marra, njësitë policore kanë arritur që ta kapin të dyshuarin.
I dyshuari ka deklaruar se ndodhet jashtë shtetit, teksa gjatë komunikimit me telefon ka pranuar se ka kryer veprën për të cilën dyshohet.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’ dhe ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’. Ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa i dyshuari të mund të paraqitet në stacion policor.