IADK nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Komunën e Drenasit

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe Drejtori Ekzekutiv i IADK-së, Zenel Bunjaku, nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim të afërt me qëllim të ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe përkrahjes me grante për fermerët, gratë, të rinjtë dhe studentët në Komunën e Drenasit.
Kjo marrëveshje përfshinë periudhën nga Janar 2023 deri në Dhjetor 2025.

Përmes këtij projekti synohet të ngritën kapacitetet profesionale dhe përkrahja direkte me grante në sektorin e bujqësisë, përpunimit të prodhimeve bujqësore, digjitalizimit te bujqësisë dhe ndryshimeve klimatike, si dhe përkrahja e studenteve me punë praktike.

Projekti do të arrij rezultate të prekshme, nga ku do të mbështeten:

Do të përkrahen 60 studentë të drejtimit të bujqësisë dhe teknologjisë ushqimore për të kryer punën praktike me pagesë për periudhën 3 mujore në kompani/ndërmarrje private që përshtaten me profesionin e tyre, me qëllim të punësimit dhe lehtësimit të qasjes në tregun e punës,

Do të mbështeten 104 fermer të vegjël me grante në vlerë mesatare nga 3,000.00 euro në sektorët me potencial të bujqësisë (pemë, perime, blegtori, bimë mjekësore), dhe do të marrin asistencë profesionale (trajnime, këshilla direkte, monitorime, vizita studimore brenda vendi) me qëllim të prodhimit sa më të suksesshëm,

Do të trajnohen dhe aftësohen 45 gra në fushën e përpunimit dhe do të certifikohen,

Do të përkrahen tri (3) gra me pajisje në vlerë mesatare nga 9,000.00 euro për ngritjen e njësive përpunuese (pemë, perime, qumësht, ëmbëlsira), ku do të punësohen 6 gra në këto njësi përpunuese të prodhimeve bujqësore,

Do të përkrahen tri (3) gra me grante në vlerë mesatare nga 6,000.00 euro për përmirësimin e kapaciteteve përpunuese të pemëve dhe perimeve, ku do të punësohen 6 gra në këto njësi përpunuese të prodhimeve bujqësore,

Do të angazhohen ekspert të jashtëm për studim fizibiliteti për ndryshimet klimatike dhe për dixhitalizimin e bujqësisë, ku do të përkrahen fermerët për krijimin dhe promovimin e modeleve të ndryshme për të adresuar ndryshimet klimatike dhe digjitalizimin në bujqësi, pastaj do të organizohen ditë fushore, tryeza të rrumbullakëta, trajnime dhe broshura promovuese.

Që të arrihen rezultate më të mira te përfituesit dhe projekti të zbatohet me sukses, aktivitetet e projektit do të zhvillohen në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Projekti: “Përmirësimi i punësimit dhe mundësive për gjenerim të të ardhurave në zonat rurale të Kosovës” mbështetet nga donatori gjerman BfdW dhe bashkëfinancohet nga Komuna e Drenasit.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë