Kosto e jashtëzakonshme: Rreth 15 milionë euro dëme nga vërshimet në Skenderaj

Të enjten disa komuna të Kosovës janë goditur nga vërshimet pas reshjeve të shiut.

Njëra ndër komunat më të prekura nga vërshimet është ajo e Skenderajt, e cila po përballet me një gjendje të jashtëzakonshme.

Kosto e dëmeve të shkaktuara pas përmbytjeve që shkaktuan reshjet e shiut në këtë komunë, ka prekur shifrën e 15 milionë eurove.

Kështu ka deklaruar për Front Online, kreu i Skenderajt, Fadil Nura.

Nura tha se më të prekurit nga vërshimet janë ekonomitë familjare.

“Pas vërshimeve gjendja është jashtëzakonisht e rëndë sepse vërshimet kanë lënë shumë pasoja dhe dëme materiale si në ekonomi familjare, në biznese si dhe në prona bujqësore. Jemi duke u marrë me familjet e prekura por dëmet kanë një kosto të jashtëzakonshme për kapacitetet që ka komuna. Gjithsej deri tani rreth 15 milionë euro është kosto e dëmeve”, tha Nura për Front Online.

E për t’u dalë në ndihmë të prekurve nga vërshimet, kryetari Nura thotë se nevojitet ndihma e Qeverisë.

“Nga niveli qendror kam marrë zotime që do të jenë pjesë e kompensimeve të dëmeve dhe mbetët të shihet. Ne presim që do të ketë një fond të mjaftueshëm për qytetarët nga Qeveria dhe është përgjegjësi e tyre që në raste të tilla t’i dalin në ndihmë qytetarëve”, u shpreh Nura.

Ndryshe, të enjten komuna e Skenderajt ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme pas situatës së rënduar nga vërshimet.

Komunat më të prekura ditëve të fundit nga reshjet e shiut në Kosovë, janë Skenderaj, Mitrovica, Klina, Istogu dhe Podujeva.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë