Historia e Nysret Cenës që u vra me breshëri plumbash

Mbrëmjen e së hënës, Nysret Cena nga Kaçaniku u vra me breshëri plumbash nga persona akoma të paidentifikuar, të cilët e qëlluan në veturën e tij, duke e lënë të vdekur në vend. Vdekjen e 48-vjeçarit e ka konfirmuar mjeku, teksa trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Të dyshuarit kanë ikur nga vendi i ngjarjes, ndërsa Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit.

Cena akuzohej për rastin e shpërthimit te lokali ‘Sekiraqa’ dhe për vrasjen e trefishtë në Kaçanik. Por ai ishte dënuar për zhvatje në vitin 2011.

Më 21 prill 2011, Gjykata e Qarkut në Prishtinë e kishte shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale të zhvatjes dhe posedimit të paligjshëm të armës. Bashkë me të ishte dënuar edhe ish-kryetari i komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku, i cili më pas ishte arratisur për në Suedi.

Rasti i shpërthimit te lokali Sekiraqa

Para gjashtë vitesh, Gjykata Themelore e Prishtinës kishte liruar nga akuzat të pandehurit për rastin e shpërthimit në lokalin Sekiraqa në Prishtinë. Gjashtë vjet pas shpërthimit në këtë lokal, Prokuroria Speciale e Kosovës pati ngritur aktakuzë të re kundër tetë personave, gjashtë prej të cilëve policë të Kosovës.

Prokurorja e këtij rasti Mariah Bamieh pati dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës aktakuzën kundër Bejtullah Mehmetit, Luan Qekinit, Bekim Sumës, Fadil Sadikut, Mehmet Mehmetit – policë të Kosovës, Arbresh Dalipit, ish-policë dhe Nysret Cenës, ish-pjesëtar i TMK-së si dhe Afet Dalloshit.

Aktakuza që kishte gjashtë pika ngarkonte këtë grup kriminal se së bashku me dy ish-policët kanë përgjegjësi kriminale për përgatitje dhe ekzekutim të një shpërthimi që si pasojë kishte vrasjen e dy personave, plagosjen e 11 të tjerëve dhe shkatërrimin e pasurisë private e publike.

Ajo ishte ngritur pasi Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi, të dënuar me nga 25 vjet burgim, e kishin pranuar përgjegjësinë e tyre, duke treguar në detaje përgatitjen dhe ekzekutimin e këtij akti.

Për vrasje të rëndë të Naim Muratit dhe Pleurat Sllamnikut, prokurorja Bamieh akuzonte grupin se e bënë “për hakmarrje të paskrupullt ose motive të ulëta duke vendosur dhe shpërthyer një mjet plasës të improvizuar në katin përdhes të një ndërtesë në Prishtinë”.

Prokuroria pretendonte se Policia e Ferizajt bashkë me policët e Njësisë ROSU kishin planifikuar hakmarrjen kundër Enver Sekiraçës duke hedhur në erë me bombë restorantin e tij në Prishtinë me 24 shtator 2007 në ora 2 e 10 minuta të mëngjesit, gjatë periudhës së Ramazanit. Atë kohë të gjitha baret dhe restorantet ishin të hapura e në punë deri në syfyr.

Sipas Prokurorisë nga Rakaj, Afet Dalloshi dhe Nysret Cena u dërguan për të marrë mjetin plasës, minë kundër-tank dhe armët, konkretisht dy armë MP5.

“Plani ishte të hidhej në erë restoranti Sekiraça në Prishtinë. Me kthimin e tyre, Nysret Cena vendosi mjetin plasës, konkretisht minën kundër-tank me lëndë plasëse dhe kapsulla. Pastaj ai udhëzoi dy pjesëmarrësit e maskuar, Arbresh Dalipi dhe Mehmet Mehmeti si dhe Bejtullah Mehmetin se çfarë të bënin”, thuhej në aktakuzë.

Nysret Cena dyshohej edhe për vrasjen e trefishtë në Kaçanik

Në këtë rast po akuzohen Agron dhe Afet Dalloshi për vrasje e vrasje të rëndë në tentativë, ndërsa së bashku me ta ka qenë i akuzuar edhe Nysret Cena i cili ishte liruar nga akuza me aktgjykim të formës së prerë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë