Hamidja raportoi se u kërcënua me armë, Policia kreu bastisje në shtëpinë e Sokoli 3 javë pas denoncimit

Drama në martesën e Hamide Magashit nga fshati Llugaxhi i Lipjanit me Sokol Halilin nga fshati Davidovc i Shtimes, kishte filluar qysh në ditët e tyre të para. E ndjera Hamidja dyshohet se që nga fillimi i bashkëjetesës me Sokolin, ishte përballur me kërcënime e dhunë fizike nga ish bashkëshorti i saj. Ky i fundit, lidhjes me Hamiden i dha një epilog të trishtë. Natën e 30 nëntorit ai qëlloi tri herë me armë zjarri në drejtim të Hamides e cila ishte në pritje të lindjes së fëmijës së tyre të parë. E dy ditë më vonë, 31-vjeçari vrau veten, raporton Gazeta Sinjali.

Për keqtrajtimet të cilat ia bënte i shoqi, Hamidja kishte njoftuar edhe më parë organet e rendit. Ajo më datën 6 korrik të këtij viti kishte raportuar në Polici se bashkëshorti i saj e ka kanosur disa herë me armë zjarri, të cilat dyshohet se ky i fundit i mbante kundërligjshëm në shtëpinë e tij.

Kjo u bë shkas që Policia Rajonale në Ferizaj të parashtrojë kërkesë për t’u pajisur me urdhër për bastisje në shtëpinë e Sokolit, në mënyrë që të zbardhen të gjitha rrethanat e rastit.

Kërkesa e cila nuk dihet se me çfarë date është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Ferizaj, u aprovua pas më shumë se tri jave.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se Gjykata në Ferizaj kishte lëshuar urdhëresë për bastisjen e shtëpisë së Sokol Halilit më 28 korrik, apo saktësisht 22 ditë pas kërkesës së Policisë.

Sinjali mëson se Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj dhe me urdhër të gjykatës, ka kryer bastisje në shtëpinë e tashmë të ndjerit, ku kanë gjetur dhe konfiskuar një pushkë gjuetie dhe një pistoletë me gaz.

Kujtojmë se akti çnjerëzor i Sokol Halilit ndaj ish bashkëshortes së tij e cila ishte shtatzënë në javën e 41-të, ka tronditur të gjithë vendin. Halili, po ashtu tashmë i ndjerë, të mërkurën ka vrarë Hamiden me armë zjarri në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. E ndjera po qëndronte e shtrirë në spital, pasi që veç se i ishte caktuar termini për lindje me prerje cezariane më 1 dhjetor.

Menjëherë pas kryerjes së veprës, 31-vjeçari u arratis nga vendi i ngjarjes për t’u gjetur tek pas dy ditësh në shtëpinë e tij në Shtime. Pas negocimit me Policinë e Kosovës, ai ka refuzuar që të dorëzohet, duke i dhënë fund jetës së tij me armë zjarri.

Pas vetëvrasjes së tij, është publikuar edhe një letër që thuhet ta ketë shkruar pak para kryerjes së aktit, ku pretendon se gjithë problemet me Hamiden i kishte për shkak se kjo e fundit i kishte kërkuar që në këmbim të 25 mijë eurove, t’ia japë fëmijën dhe ta rris në shtëpinë e babait të saj.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë