Ky është problematiku që iku nga vetura e Policisë, ishte arrestuar pasi kërcënoi zyrtarët policorë

Mediat mbrëmë raportuan për një rast të arratisjes së një të prangosuri që ka ndodhur në Gjilan, derisa i njëjti po dërgohej në qendër të paraburgimit. Ai ka arritur të ikë nga vetura e Policisë e cila ishte në lëvizje dhe ia ka mbathur në një drejtim të panjohur. Policia është vënë në ndjekje të tij, por akoma nuk e kanë kapur. Sinjali ka mësuar identitetin e tij dhe ju sjellë detaje për rastin për të cilin ishte arrestuar.
Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se bëhet fjalë për Isak Sveçlën, 34-vjeçar, i cili është kapur para dy ditësh në rrugën “Haxhi Zeka” në Prishtinë, pasi ishte në listën e personave të kërkuar. Ai u ndalua derisa një njësi policore po patrullonte në atë pjesë, me ç’rast pas verifikimit rezultoi se ndaj tij kishte urdhëresë aktive nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Por gjatë arrestimit, 34-vjeçari dyshohet se ka kërcënuar zyrtarët policorë, duke u thënë se do e shohin kush është ai në momentin që do të dalë nga burgu. Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim atë ditë që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe më pas është bërë kërkesë për paraburgim.
Masa e sigurisë i është caktuar nga Gjykata, por zyrtarët policorë nuk arritën ta dërgonin në qendrën e paraburgimit, pasi iu iku para syve të tyre. Kështu, i dyshuari ishte në duart e Policisë vetëm për dy ditë pasi ka arritur të zhduket sërish, duke shijuar lirinë në arrati.