Ueb faqet e komunave hyjnë në muajin e pestë që nuk janë funksionale, MAPL-ja ende pa zgjidhje
Komunat e Republikës së Kosovës, që nga muaji Maj i këtij viti, kanë probleme të theksuara në funksionimin e ueb faqeve zyrtare, ku publikojnë dokumentet për t’i informuar qytetarët. Madje java e kaluar dhe kjo javë e muajit Nëntor, ueb faqet e komunave nuk janë fare të qasshme.
Drenicaonline ka kontaktuar me Kryesuesin e Kolegjiumit të Zyrtarëve për Komunikim me Publiun në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Bekim Dobra, i cili tha se muaj të terë së bashku me Kolegjiumin e Zyrtarëve të IT-së, kanë adresuar këtë shqetësim në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit, por kjo çështje nuk është zgjidhur.
Dobra ka thënë se zyrtarët për Komunikim me Publikun pa dëshirën e tyre, u është vështirësuar tej mase puna në kryerjen e detyrave dhe përditësimin e dokumenteve ne këtë platformë digjitale. Ai ka shtuar se mos funksionimi i ueb faqeve zyrtare (që kanë qenë unike për të gjitha komunat) po i penalizon komunat, sidomos në procesin e vlerësimit të performancës komunale, kur dihet se shumica e publikimit të dokumenteve, kanë afat kohor të caktuar të publikimit dhe vonesa në publikimin e tyre, ose mos publikimi me kohë, vlerësimi mbetet negativ dhe faji nuk mbetet tek komunat.
Bekim Dobra, njëherit që është edhe Udhëheqës i Zyrës për Komunikim me Publikun në Komunën e Drenasit, ka shtuar së shqetësim i zyrtarëve të komunave është edhe humbja e dokumenteve, ndonëse ato janë publikuar, kur ato kthehen në funksion, mungojnë dokumentet. Dobra ka propozuar që në Grantin e Performancës Komunale të MAPL-së, të ngrihen disa indikatorë për vitin 2022 që kanë të bëjnë me publikimin e dokumenteve. “Zyrtarët e ngarkuar për publikimin e dokumenteve, kanë përgjegjshmëri të lartë në mirëmbajtjen e tyre dhe fal përkushtimit të tyre, shumica e komunave në vlerësimet që ju behën, sikurse nga niveli qendror për grant të performancës, ashtu edhe nga shoqëria civile e mediat, kanë avancim shumë të theksuar në transparencë, sidomos pas unifikimit të ueb faqeve me programin WordPress, por tani pa fajin e tyre, Komunat në Republikën e Kosovës do të penalizohen në matjen e performancës” ka shtuar Dobra.
Këto shqetësime ka kohë që janë ngritur nga Kolegjiumi për Komunikim me Publikun dhe Kolegjiumin e Zyrtarëve Komunale të IT-ve në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës.

