Konflikt familjar në Drenas: 57-vjeçari ia rrënon me çekan rrethojën e oborrit familjarit të tij

Telashet familjare shpesh herë kalojnë muret e shtëpive, për shkak të eskalimit të situatës ku nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë. Një rast i tillë ka ndodhur dje në një familje në Nekoc të Drenasit, ku janë përfshirë dy vëllezër.

Sinjali mëson se gjithçka ka ndodhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje që lidhet me një rrugë, ku më pas njëri nga ta ia ka dëmtuar rrethojat e shtëpisë vëllait të tij.

Kjo ka bërë që 47-vjeçari të denoncojë rastin në Polici, ku ka deklaruar se vëllai i tij e kishte marrë një çekan dhe ia ka dëmtuar rrethojën e oborrit, duke i shkaktuar atij dëme të mëdha materiale, vlera e të cilit nuk dihet ende.

Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë arrestuar personin e dyshuar, i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Me urdhër të prokurorit ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale ‘Asgjësim apo dëmtim i pasurisë’ dhe i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë