Kadire Tahiraj nga Drenasi, nderohet me “Çmimin për Guximi Vasfije”

Në 21 vjetorin e themelimit të saj, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës ndan çmimin vjetor “Çmimin për Guximi Vasfije” për drejtoreshën e Qendrës për promovimin e të drejtave të Grave në Drenas, Kadire Tahiraj.

Lajmin e kanë bërë të ditur faqja zyrtare e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, duke theksuar se ky çmim ndahet për të shprehur mirënjohjen ndaj personave të shquar, që me punën dhe angazhimin e tyre, kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontribut të çmuar në mbështetje të kauzës së të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

“Këtë vit fituese e çmimit është zonja Kadire Tahiraj, aktiviste e të drejtave të njeriut, e cila me punën dhe veprimtarinë e saj ka shërbyer si model dhe inspirim për shumë gra tjera aktiviste”, thuhet tutje në njoftim.

QKRMT theksoj se Qendra për Promovimin e të drejtave të Grave në Drenas nëpërmjet udhëheqjes së Tahirajt u shndërrua në një derë shprese për shumë të mbijetuara të dhunës seksuale dhe asaj në baza gjinore.

Për të kremtuar 21 vjetorin e themelimit, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës ka organizuar poashtu ekspozitën virtuale “Më njih përtej fjalëve”, në të cilën do të shfaqen punimet artistike të të mbijeturave të dhunës seksuale gjatë luftës si dhe gratë/fëmijët azilkërkues.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë