Ky ilaç po jep efekt pozitiv në shërimin e virusit
Autoritetet mjekësore në Kinë kanë thënë se një ilaç i përdorur në Japoni për t’i trajtuar rastet e gripit duket të jetë efektiv te pacientët me koronavirus, shkruajnë mediet japoneze.
Zhang Xinmin, zyrtar në Ministrinë e Shkencës dhe Teknologjisë në Kinë, tha se substanca e quajtur favipiravir, e zhvilluar nga një kompani vartëse e Fujifilm-it, ka prodhuar rezultate inkurajuese gjatë testimeve klinike në Wuhan dhe Shenzhen, ku janë përfshirë 340 pacientë.
Pacientët që e përdorën këtë ilaç në Shenzhen dolën negativë në testin për koronavirus në një periudhë kohore prej katër ditëve pasi ishin diagnostikuar si të infektuar, në krahasim me 11 ditë për ata që nuk e kishin përdorur ilaçin.
Për më tepër, me rreze X u konfirmuan përmirësime në gjendjen e mushkërive në rreth 91 për qind të pacientëve që u trajtuan me favipiravir, në krahasim me 62 për qind të atyre që nuk e përdorën ilaçin.
Kompania “Fujifilm Toyoma Chemical”, e cila e ka zhvilluar këtë ilaç – i njohur edhe si Avigan – ka refuzuar të komentojë në lidhje me këto pretendime.
Sidoqoftë, vlera e aksioneve të kësaj kompanie u rrit të mërkurën pas komenteve të zyrtarit Zhang, duke shënuar ngritje prej 14.7 për qind.
Mjekët në Japoni janë duke e përdorur ilaçin e njëjtë në studimet klinike për pacientët me koronavirus, të cilët kanë simptoma të lehta dhe të mesme, duke shpresuar se ai do ta parandalojë shumimin e virusit te pacientët.
Megjithatë, një burim i Ministrisë së Shëndetësisë në Japoni sugjeroi se ky ilaç nuk është efektiv te pacientët me simptoma më të ashpra. “Ua kemi dhënë Avigan-in 70 deri 80 njerëzve, por nuk duket se funksionon aq mirë, kur virusi tanimë është shumuar”, tha ky burim.
Kufizimet e njëjta janë identifikuar edhe gjatë studimeve ku janë përfshirë pacientët me koronavirus që janë trajtuar me një kombinim të ilaçeve kundër HIV-it, lopinavir dhe ritonavir, shtoi burimi.
Në vitin 2016, qeveria japoneze i kishte furnizuar spitalet me ilaçin favipiravir si ndihmë emergjente për luftimin e përhapjes së Ebolës në Guine, shkruan “The Guardian”, transmeton expres.
Ilaçi favipiravir do të duhej të miratohej nga qeveria për përdorim të plotë te pacientët me virusin Covid-19 për shkak se fillimisht ishte prodhuar me qëllim të trajtimit të gripit të zakonshëm.
Një zyrtar shëndetësor tha se ky ilaç mund të miratohet për përdorim në muajin maj. “Por nëse rezultatet e hulumtimit klinik shtyhen, mund të shtyhet edhe miratimi”, shtoi ai.