Kurti: Punësimi e drejtësia, integrimi evropian dhe anëtarësimi në NATO, prioritetet tona

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po merr pjesë në Samitin e Investimeve për Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në Londër nën organizimin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ka zhvilluar takime me krerët e qeverive të rajonit.
Kurti ka bërë të ditur se në këtë takim ka folur për rëndësinë e investimeve për ekonominë, ndërmarrësinë e të rinjve tanë, sidomos në teknologjinë informative, infrastrukturën që ndërlidh e mundëson zhvillim, raportet me Serbinë dhe parimin e reciprocitetit dhe çështje të tjera.
“Sot në Samitin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) në Londër pata rastin të takohem me udhëheqësit e saj dhe të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Pikërisht sot bëhen tri javë nga votimi në Kuvend i qeverisë sonë, dhe gëzohem që në këtë ditë pata rastin të flas për rëndësinë e investimeve për ekonominë, ndërmarrësinë e të rinjve tanë sidomos në teknologjinë informative, infrastrukturën që ndërlidh e mundëson zhvillim, raportet me Serbinë dhe parimin e reciprocitetit etj”, ka shkruar Kurti në një postim në rrjetin social Facebook, përcjell Telegrafi.