Drenasi shënon 111-vjetorin e Kongresit të Manastirit me Akademi Solemne

Me rastin e 111-vjetorit të Kongresit të Manastirit, në Sallën e Kulturës në Drenas, u mbajt një Akademi Solemne.
Në këtë Akademi morën pjesë, nënkryetari i Komunës së Drenasit, Nazmi Hasi, drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Shqipe Zogu, të ftuar dhe shumë qytetarë, mësimdhënës e nxënës.

Fjalën e hapjes e mbajti nënkryetari i Komunës, Nazmi Hasi, i cili ndër të tjera tha se përkujtimi i ngjarjeve më të rëndësishme e më të ndritshme kulturore të popullit tonë është i domosdoshëm sepse në këtë mënyrë ne drejtohemi kah njohja e vlerave dhe respektimi i tyre. Më tej shtoi se “jemi të lumtur dhe krenarë se me alfabetin e Manastirit janë botuar kryevepra me vlera kombëtare por edhe ndërkombëtare”.

Ndërsa drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport u shpreh se shkronjat jo latine nuk ishin të përshtatshme për kultivimin e gjuhës shqipe dhe bashkimit gjuhësor kombëtar.

Në kumtesën “Historiku i Kongresit të Manastirit“, profesor Bedri Tahiri pasi i bëri një përmbledhje të rrugëtimit historik të shkrimeve shqipe drejt një alfabeti të njësuar tha se ky Kongres pati një rëndësi të madhe për mbarë kulturën kombëtare shqiptare. Kongresi i Manastirit u dha shqiptarëve një alfabet latin dhe i drejtoi ata nga perëndimi duke i larguar nga kthetrat e armiqve dhe fqinjëve lakmitarë. Gjuha shërbeu si mjet për formësimin kombëtar.

Dr. Bashkim Musliu në kumtesën me titull “Rëndësia e Kongresit të Manastirit “, ndër të tjera tha se fati ynë ishte që të vdesim jo vetëm për tokën tonë por edhe për shkronjat tona. Kongresi i Manastirit ka rëndësi kulturore e arsimore, politike dhe kombëtare. Kongresi i Alfabetit ishte kundërvënie ndaj asimilimit dhe shkombëtarizimit dhe parapërgatitje për mbrojtje nga rreziku i copëzimit të trojeve shqiptare.

Akademia Solemne u përmbyll me një program artistik, me recital nga nxënësit e gjimnazit “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga Drenasi, dhe me këngë e valle nga shoqëria “Shotë Galica” nga Drenasi dhe “Shqipet e Drenicës” nga Komorani.

Kongresi i Manastirit, i cili kishte për qëllim unifikimin e alfabetit të gjuhës shqipe mblodhi në mes datave 14 nëntor deri më 22 nëntor të vitit 1908 në Manastir, 160 delegatë të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga komunitetet shqiptare në diasporë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë