Për nëntë muaj plumbat dhe aksidentet në trafik ua morën jetën 89 kosovarëve

Aksidentet e trafikut dhe vrasjet po ua marrin jetën me të madhe kosovarëve. Vetëm gjatë nëntë muajve të këtij viti, 20 persona u vranë me plumba, thika e mjete të forta, e 69 të tjerë vdiqën nëpër rrugët e Kosovës si pasojë e aksidenteve të trafikut.

Problemet që i kanë, kosovarët kanë filluar t’i zgjidhin me armë e mjete të forta. Ata po bëjnë vetëgjyqësi, duke ia marrë jetën njëri-tjetrit.

Prona po del të jetë shkaktare e shumë vrasjeve në vend. Madje, për një copë tokë nuk po kursehen as familjaret ndërmjet vete.

Kështu ndodhi të shtunën e 7 shtatorit në Lipjan, ku djali i hallës i drejtoi thikën djalit të dajës duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse. Arsyeja e përleshjes që çoi deri në vdekjen e 42-vjeçarit F.K. ishte një karrocë çimentoje  të cilën ky i fundit e kishte lënë në pronën e dorasit.

E një rast tjetër i vrasjes i cili ndodhi po ashtu për shkak të pronës është ai i 5 shtatorit ne Lagjen e Spitalit në Prishtinë.

Për një pjesë betoni, dyshohet se nisi i gjithë konflikti në mes të familjes Mehmeti dhe Rafuna, ku mbetën të vdekur dy persona e u plagosën tre të tjerë, dy nga ta në gjendje të rëndë. Këto dy familje për vite me radhë kishin qenë në fqinjësi të mirë. Por, para disa muajve, familjet ia dhanë pronën, në këmbim të disa banesave e lokaleve, një kompanie private. Mosmarrëveshjet nisën ditëve të fundit e përfunduan dje, me një ngjarje e cila ka tmerruar gjithë Kosovën.

Ndërkaq dy vëllezër të familjes Ndrecaj nga Shtimja, muajin e kaluar e rrahën për vdekje personin që hyri për të vjedhur në shtëpinë e tyre.

Katër persona të maskuar kishin hyrë në shtëpinë e njërit prej vëllezërve Ndrecaj për të vjedhur. Por hajnat kishin hasur në rezistencë nga pronari të cilin edhe e kishin plagosur në këmbë.

Pasi kishin tentuar të iknin nga shtëpia, njëri nga hajnat ishte kapur nga pronari i shtëpisë dhe vëllai i tij, për t’u rrahur me mjete të forta. Nga plagët e marra, Fehmi Gashi, kishte ndërruar jetë, ndërkaq tre personat e tjerë ishin larguar nga vendi i ngjarjes me 24 mijë franga zvicerane me vete.

Por, këto nuk janë rastet e vetme të vrasjeve gjatë këtij viti. Në statistikat e siguruara nga Gazeta Express në Policinë e Kosovës, thuhet se në nëntë muajt e parë të këtij viti, 20 persona janë vrarë nga armët e zjarrit dhe ato të ftohta për raste të ndryshme.

“Në vitin 2019 për tetë mujorin e parë janë evidentuar gjithsej 17 vrasje. Policia e Kosovës rastet e vrasjeve i trajton duke u bazuar në ligjet e aplikueshme në vend dhe në konsultim me prokurorinë kompetente ndërmerr të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme për kompletim dhe procedim të rasteve tek organet kompetente”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Ndërkaq policia bën të ditur se në vitin 2018 janë evidentuar 32 raste të vrasjeve.

Por, armët nuk janë të vetmet që po ua marrin jetën kosovarëve. Aksidentet e trafikut kanë çuar në vdekjen e 69 personave vetëm në tetë muajt e parë të këtij viti.

“Nga muaji janar e deri në muajin gusht të vitit 2019, në 59 aksidente fatale kanë humbur jetën 69 persona”, theksohet në përgjigjen e policisë për Express.

Policia ka treguar se përgjatë vitit 2018 në 100 aksidente fatale kanë humbur jetën 129 persona. /GazetaExpress

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë