Shtetet e Quintit me qëndrim të përbashkët për Kosovën, kanë këtë kërkesë

Shtetet e Quintit kanë dalë me qëndrim të përbashkët për Kosovën.

Në një deklaratë shtypi, shtetet e fuqishme botërore: SHBA-ja, Gjermania, Franca, Italia e Mbretërisha e Bashkuar i bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë ta rifillojnë dialogun e udhëhequr nga BE-ja.

“Qeveritë të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë të bashkuara në qëllimin për të parë normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nëpërmjet arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, politikisht të qëndrueshme dhe ligjërisht detyruese që i kontribuon stabilitetit rajonal. Status quo-ja pengon përparimin e Kosovës dhe Serbisë në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian (BE) dhe thjeshtë nuk është e qëndrueshme.

Pas viteve të tëra të ngecjes, ka ardhur koha që më në fund të përmbyllen konfliktet e viteve 90-të dhe të ofrohet një e ardhme e sigurt dhe e begatshme për qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë, duke negociuar në mirëbesim një marrëveshje që mund ta mbështesin të dyja palët.

Prandaj, i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë të rinisin dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe kërkojmë nga të dyja palët të shmangin veprime që do të pengonin një marrëveshje përfundimtare, e cila është e nevojshme për të dyja vendet për të arritur integrim më të madh evroatlantik dhe përfitimet përcjellëse.

Ne jemi të gatshëm të forcojmë rolin tonë në këtë proces në përkrahje të përfaqësuesit të lartë të BE-së, por mund ta bëjmë një gjë të tillë vetëm kur ju të jepni shenja gatishmërie për kompromis, për heqjen e pengesave dhe rinisjen e bisedimeve. Për Kosovën, kjo nënkupton heqjen e taksave të vendosura ndaj Serbisë. Për Serbinë, kjo nënkupton ndërprerjen e fushatës për heqjen e njohjeve kundër Kosovës.

Dëshirojmë të shohim që njerëzit e Kosovës dhe të Serbisë të përfitojnë nga paqja e qëndrueshme dhe të kenë mundësi të ndërtojnë të ardhmen e tyre. Jemi të gatshëm të ndihmojmë në çfarëdo mënyre”, thuhet në një njoftim shtypi.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë