Në Drenas…aty ku qeverisin gratë!

Një ditë në Komunën e Drenasit, komuna e parë në nivel kombëtar, e cila ka 65% të udhëheqjes së drejtorive gra. Sigurisht që shumë sfida, por edhe përkushtim nga ana e këtyre grave, që kanë vendosur  të bëhen pjesë e qeverisjes së kryetarit Ramiz Lladrovcit.

Ndonjëherë duket se jeta në Kosovë është e përqendruar vetëm në kryeqytet, për këtë arsye vendosëm që çdo dy javë, në bashkëpunim me AZHR Qendër, të sjellim një tjetër këndvështrim, jetën e komunave të tjera. Jo pa qëllim filluam me komunën e Drenasit, e cila shpesh herë ka qenë në fokus të mediave për shkak të kryetarit të saj. Ramiz Lladrovci na mirëpret në ambientet e komunës së Drenasit, së bashku me 7 drejtoreshat e përzgjedhura. “Ka qenë një nga premtimet e mia elektorale se pjesë e qeverisjes do të ishin dhe gra, ndoshta kam humbur shumë vota të burrave, ama di që fitoi Drenasi dhe unë gra bashkëpunëtore që dinë të udhëheqin, edhe këtë e them me bindje të plotë, sot pas dy vjet e gjysmë që jam në këtë post. Ja kam pasur borxh Komunës së Drenasit për t’u kthyer dhe të bëj një punë të mirë për ta,”- shprehet z.Lladrovci, duke shtuar se sa i përket arritjeve tona si Komunë, vlen të theksoj se shërbimi kundrejt qytetarëve ka ndryshuar rrënjësisht, janë të njëjtit punonjës, por të cilët tash kanë prioritet qytetarin. Nga ana tjetër, ka rritur mbikëqyrjen e implementimit të projekteve infrastrukturore, që ato të realizohen me standardet më të larta. Aktualisht Komuna e Drenasit ka fituar disa çmime në rang kombëtar, si Komuna më Transparente, Komuna me Performancën më të Mirë. “Kemi shumë sfida si komunë, sepse shumëçka nuk është punuar, vetëm pak kohë më parë kemi arritur t’u japim ujë të pijshëm 22 fshatrave ndërsa ende mbetet një projekt i parealizuar kanalizimi i ujërave të zeza, për të gjithë fshatrat përreth. Kemi zhvilluar dhe modernizuar sektorin e mjekësisë dhe gjithë ambulancat në rajonin e Drenasit, duke sjellë aparaturat më të fundit duke u ofruar shërbim 24 orë dhe mamografin lëvizës,”- shprehet z.Lladrovci duke shtuar se do të kandidojë edhe për një tjetër mandat politik, pasi duhet një hapësirë kohore për të plotësuar shumicën e mungesave që e ka kjo komunë./revistaflatra.com/

 

Lumnije Krapi, drejtoreshë e Shërbimeve Publike  

Prej disa vitesh punoj në Komunën e Drenasit, me ardhjen e kryetarit z.Lladrovci, më emëroi si drejtoreshë e shërbimeve publike. Të them të drejtën, kur e merr një post të tillë, më shumë se gëzim ke edhe përgjegjësi, por gjithmonë mendoj dhe besoj se menaxhimi fillon qysh në familje. Nëse një grua është e aftë të di të menaxhoj në familjen e saj, atëherë ajo është e zonja të menaxhoj edhe pozita të ndryshme, por ajo çfarë dua të theksoj se si shoqëri duhet largohemi nga paragjykimet  në baza gjinore.  Nuk ka rëndësi a është burrë apo grua në krye të një detyre të caktuar, por a di të udhëheqë me  zotësi. Ne si gra duhet të jemi të përgatitura,   të batim  përgjegjësi.   Vënia e një pikësynimi  të jep mundësinë të besosh tek vlera që i vë vetes  sepse sfida kryesore e grave është besimi në vetvete, përkushtimin për punë dhe atëherë çdo rrugë përpara teje është e hapur.

 

Shqipe Zogu, drejtoreshë për Kulturë, Rini dhe Sport

Së pari duhet të cekë, se pasqyrimi i mirë i punës që bëjnë gratë jep mesazh edhe për gratë e tjera, se një pozitë vendimmarrëse apo politika mund të jetë shumë e suksesshme edhe kur drejtohet nga një grua. Sa i përket drejtorisë të cilën e udhëheq unë, më duhet të theksoj se janë zhvilluar shumë ngjarje kulturore, sportive dhe aktivitete për të rinj. Kemi aktivitete të rëndësishme, të cilat tashmë janë kthyer në tradicionale në komunën tonë, si manifestimi letrar tradicional, Sofra Poetike “Ymer Elshani”, Muaji i Mërgatës i cili realizohet në fund të korrikut dhe në dy javët e para të muajit gusht. Ky është një festival tashmë tradicional dhe mbledh shumë të rinj ndërsa këtë vit po përpiqemi të sjellim një program sa më të pasur, për ta kthyer këtë festival një adresë verore, jo vetëm për qytetarët e kësaj komune, por edhe për komunat e tjera. Nga ana tjetër, një vëmendje të madhe i kemi kushtuar edhe sportit, arritjet e të cilit kanë qenë evidente në mbarë Kosovën. Prej vitesh komuna e Drenasit ndjente nevojën e aktiviteteve kulturore dhe sportive, por tashmë ne e kemi prioritet këtë sektor.

 

Egzona Jetullahu, drejtoreshë e Zhvillimit Ekonomik

Sigurisht që është një privilegj dhe përgjegjësi e veçantë të udhëheqësh një drejtori si Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik sepse është një fushë që reflekton dhe ndikon drejtpërdrejtë në ekonominë e qytetarëve të një treve të veçantë të Kosovës, me trende që aktiviteti ynë të ndihmojë sadopak edhe zhvillimin ekonomik të vendit. Çdo shërbim yni që ju ofrohet qytetarëve të Drenasit është një mundësi e mirë sa i përket zhvillimit ekonomik të kësaj treve të shfrytëzuar ekonomikisht edhe pse e pasur me shumë resurse. Patjetër se më duhet të potencoj se me ardhjen e kryetarit Lladrovci në krye të kësaj komune, shumë projekte të mëdha kanë filluar të marrin jetë dhe të ndryshojnë jetën e qytetarëve tanë. Aktualisht komuna e Drenasit ka fituar një numër të madh grantesh, nga institucione në nivel qendror dhe nga institucione të tjera ndërkombëtare. Përpjekje ime permanente është që çdo herë të mbaj sesione informuese për qytetarët tanë dhe tu ndihmojmë për të fituar nga grantet qeveritare dhe tu bëjmë trajnime në mënyrë që të kenë një hapësirë për të shfaqur idetë e tyre inovative. Pas 20 vjetëve të mbarimit të luftës, Komuna e Drenasit përkatësisht Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik për here te pare ka përfunduar projektin e identifikimit të bizneseve aktive ne teren ku saktësisht e di numrin e bizneseve që operojnë, çfarë veprimtarie kanë, sa prej tyre udhëhiqen nga gra e sa prej tyre nga meshkuj, gjithashtu sa është numri i të punësuarve në këto biznese. Udhëheqja e kësaj drejtorie është një sfidë e madhe, sepse është adresa e parë ku njerëzit drejtohen për mirëqenien e dhe perspektiven e tyre zhvillimore. Ne si staf dhe administratë bëjmë përpjekje të mëdha më të mirën tonë të mundshme, duke pasur prioritet kryesor qytetarin. Kemi ende shumë sfida por së bashku si ekip, dhe falë bashkëpunimit shumë të mirë me kryetarin dhe përkrahjen e tij do të realizojmë shumë projekte. Ne si drejtori e zhvillimit ekonomik kemi përfunduar edhe projektin identifikimi i ekonomive familjare. Ky projekt është hartuar për arsye të identifikimit te ekonomive familjare në Komunën e Drenasit, dokument, i cili do t’i shërbejë komunës dhe gjithë qytetarëve për verifikimin e numrit të ekonomive familjare rezident dhe jo rezident, regjistrimit të numrit të banorëve, grup-moshat, numrin e personave që kanë të përfunduar shkollimin e lartë-fakultetin, ndarjen sipas gjinisë si dhe etazhiteti i objekteve të banimit. Po ashtu jemi duke punuar që të bëjmë të mundur funksionalizimin e zonës ekonomike dy në Drenas, pasi që Parku i Biznesit është duke punuar në mënyrën më të mirë të mundshme, iniciativave të reja për krijimin e vendeve të reja të punës, shqyrtimin e mundësive për aplikimin pranë fondeve të BE-së dhe fondeve tjera për zhvillim rajonal, lokal, duke ofruar mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, kjo është hapësira ku do t’ i orientoj prioritetet e mia si drejtoreshë e DzhE.

 

Flutura Avdiu, drejtoreshë  për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit

Të jesh pjesë e udhëheqjes së një prej drejtorive në Komunën e Drenasit është sa kënaqësi, po aq edhe sfidë. Ashtu si e përmendi edhe kryetari Lladrovci edhe më parë ka pasur gra, si pjesë e administratës së komunës, por nuk iu është dhënë mundësia për të qenë në krye të ndonjë drejtorie. Në fakt, Drejtoria për Planifikimin Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, është një ndër drejtoritë më të rëndësishme, me një përgjegjësi shumë të madhe ku dhe pasojat juridike janë të mëdha, mirëpo duke qenë se me profesion jam juriste, kjo ma bën edhe më të lehtë dhënien e lejeve apo pëlqimeve urbanistike. Por, puna është edhe më lehtë në bashkëpunim me kryetarin, por edhe hapësirën dhe lirinë që na jep për kryerjen e detyrës sonë, pa asnjë ndërhyrje nga jashtë, vetëm në përputhje me ligjin.

 

Kimete Qorri, drejtoreshë e Administratës së Përgjithshme

Tashmë prej disa kohësh jam pjesë udhëheqëse e një prej drejtorive të Komunës së Drenasit, përkatësisht drejtorisë së Administratës së Përgjithshme. Të them të vërtetën në fillim kur mu propozua ky post, hezitoja shumë pasi që kisha një sfide dhe përgjegjësi të madhe përpara vetes, por me mbështetjen  familjes dhe kryetarit pranova të jem pjesë e kësaj qeverisje komunale. Sigurisht që nuk është e lehtë të jesh në krye të një drejtorive, nëse dëshiron të punosh me përkushtim dhe vullnet, të japësh maksimumin dhe të jesh pjesë e imazhit të mirë të një komune. Sot mund tu them me bindje se jam e lumtur që zgjodha të jem pjesë e këtij ekipi, pas qeverisjes 8 ose 9 mujore më është besuar posti edhe për një mandat tjetër politik.

 

Anita Avdullahu Dvorani, drejtoreshë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillim Rural

Kur pothuajse një pjesë e konsiderueshme e njerëzve po hiqnin dorë nga sektori i bujqësisë dhe blegtorisë, së bashku me kryetarin Lladrovci u rikthyem besimin te toka, te mundësitë e pafundme që na ofron ky sektor. Sot duhet të potencoj se ka një interesim në rritje në këtë sektor, veçanërisht nga gratë, të cilat çdo ditë e më shumë po i drejtohen kësaj fushe.  Vetëm pak ditë më parë implementuam një biznes të udhëhequr nga gratë për mbledhjen dhe grumbullimin e bimëve mjekësore aromatike. Në komunën tonë gjithmonë jemi munduar që t’i japim përparësi gruas, duke e motivuar dhe duke i dhënë hapësirë që idetë e tyre të kenë mundësi realizimi. Në bazë të databazës së fundit të marrë kemi vënë re se 20% e bizneseve vendore janë të drejtuara tashmë nga gratë. Falë granteve që kemi fituar si komunë po ju japim vëmendjen e duhur dy prej sektorëve të rëndësishëm si janë bujqësia si dhe mbrojtjen e tokave bujqësore sidomos ato nën masën komosative. Ndërsa sa i përket sektorit të pylltarisë kemi arritur të ruajmë pyllin duke parandaluar zjarret si dhe prerjet ilegale që janë bërë në vazhdimësi, gjithashtu ka pasur mungesa të pemëve dhe ne kemi arritur ta pyllëzojmë ato mangësi.

 

Aurora Berisha, drejtoreshë e Inspeksionit

Në Komunën e Drenasit në kuadër të Inspeksionit kemi Sektorin e Ambientit, Sanitarisë , Komunikacionit, Tregut dhe Ndërtimit. Sektori i Ndërtimit është më i komplikuari duke pas parasysh se që nga paslufta kemi të bëjmë me kategori të ndryshme ndërtimi të vrazhdë duke sjellë kështu rreth 14.000 ndërtime të egra në komunën tonë. Ne realizojmë inspektime të rregullta në terren duke parandaluar zhvillimin e ndërtimeve pa leje dhe duke i kërkuar investitorëve që të respektojnë procedurat e aplikimit të lejes. Kjo ka qenë dhe do jetë sfida më e madhe e inspeksionit dhe jo vetëm në Komunën e Drenasit, ky telash qëndron edhe në nivelin qendror dhe komunat tjera. Deri më tani ne si komunë ja kemi dalë të ndalojmë ndërtimin në zonën e komasacionit dhe tokave nën ujitje në gjithë shtrirjen e territorit të komunës sonë, kjo paraqet tejkalim të një sfide mjaft të madhe sa i përket këtij sektori. Gjithmonë është sfiduese të jesh drejtor i inspeksionit pavarësisht grua apo burrë, mirëpo s’mund të them se paraqet shumë sfidë të qenit grua sepse në Komunën e Drenasit Kryetari Lladrovci pushtetin qeverisës e ka 60% gra dhe 40 % burra nga 12 Drejtori 7 nga to udhëhiqen nga gratë duke e thyer barrierën se drejtori duhet të jetë vetëm burrë. Drejtoria e Inspeksionit si drejtori paraqet shumë sfida duke sjellë ligjvënie në çdo sektor si dhe ndëshkime për mos respektim të ligjshmërisë . Do të ishte e pa mundur të menaxhohet suksesshëm pa përkrahjen politike të kryetarit të komunës. Kryetari Lladrovci që nga marrja e besimit të qytetarëve është zotuar për Ligj 100% dhe respektim të tij në çdo procedurë, prandaj kjo përkrahje e lehtëson edhe punën si Drejtoreshë e Inspeksionit sepse nuk kemi asnjë ndërhyrje politike dhe lëshim.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë