Kështu duken ftesat e Tribunalit Special për pjesëtarët e UÇK’së

Zyra e Prokurorit të Specializuar për Kosovë ftesat e para për ish-pjesëtarët e UÇK-së i ka nisur qysh në pjesën e fundit të nëntorit të këtij viti. Gazeta Express e ka siguruar një dokument të tillë për ta parë se si duken këto ftesa që deri më tani i janë dërguar edhe pesë ish-komandantëve të luftës. Aty tregohet edhe cilësia në të cilën do të intervistohen njerëzit e UÇK-së.

Ish-pjesëtarët e UÇK-së që kanë marrë ftesë nga Haga e dinë cilësinë në të cilën janë ftuar.

Aty, Zyra e Prokurorit të Specializuar përveçse ua ka caktuar datën se kur duhet të paraqiten në Hagë, u ka dhënë edhe instruksione tjera se çka duhet të kenë me vetë kur ndodhen përballë prokurorit të specializuar.

Gazeta Express ka siguruar një ftesë të tillë, e cila detyron të ftuarit të paraqiten në Hagë, në datën e përcaktuar për të.

Në dokument, personat e thirrur njoftohen për të drejtat dhe detyrimet e tyre.

Ndër të tjera u bëhet e ditur se secili ka të drejtën të ndihmohet nga një avokat dhe se ka të drejtën që avokati të jetë i pranishëm gjatë paraqitjes së tyre në tribunal.

“Në rast se ju nuk mund të paguani një avokat, keni të drejtë t’ju sigurohet një avokat pa pagesë”.

Aty i ftuari njoftohet edhe se shpenzimet e udhëtimit, akomodimit dhe mëditjet, secilit prej tyre do t’u paguhen nga ZPS-ja.

Në fund, pjesëtarëve të UÇK-së iu tërhiqet edhe një vërejtje.

“Mosparaqitja e këtyre dokumenteve që ju kërkohen do të konsiderohet mosbindje. Si rezultat Zyra e Prokurorit të Specializuar mund të kërkojë nga Dhomat e Specializuara të merren masa që detyrojnë bindjen ndaj këtij urdhri”. /GazetaExpress/.

 

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë