Thaçi i jep mbështetjen Haradinajt për formimin e ushtrisë

Te premten, deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të votojnë tri projektligjet të cilat i hapin rrugë formimit të ushtrisë së Kosovës. Kryeministri Ramush Haradinaj, në një intervistë ekskluzive për Indeksonline ka thënë se janë përmbushur të gjitha parametrat e nevojshme që parlamenti të votoj dhe të mandatojë ushtrinë e Kosovës, e cila do të quhet Forcat e Sigurisë së Kosovës, e cila e ka në përgjegjësi mbrojtjen e Kosovës.

“Është me rëndësi që Kosova e ka kaluar të them një sprovë të veten deri te ushtria, është shprehur e gatshme t’i integroj të gjithë në ushtri, edhe komunitetet edhe serbët e Kosovës. Pastaj ka adaptuar standarde të ushtrisë që janë euroatlantike, është një forcë moderne dhe këtë të premte pra janë përmbushur të gjitha ato parametrat e nevojshme që parlamenti të votoj dhe të mandatoj ushtrinë e Kosovës, e cila do të quhet Forcat e Sigurisë së Kosovës, e cila e ka në përgjegjësi mbrojtjen e Kosovës”, ka deklaruar Haradinaj.

Kryeministri ka komentuar edhe deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe ato të ambasadorit të ShBA-ve, Philip Kosnett të cilët flasin për transformimin e FSK-së në ushtri, ku i pari është kundër formimit të ushtrisë ndërsa i dyti pro.

“Tani janë bërë 20 vite nga lufta, NATO ka intervenuar në Kosovë dhe ne jemi shumë mirënjohës misionit të NATO-s, KFOR-it për paqe dhe nuk ndryshon partneriteti ynë me KFOR-in, pra do ta vazhdojmë këtë partneritet edhe në të ardhmen. Njëkohësisht ka ardhur momenti që edhe Kosova të kontribuoj në siguri e jo vetëm ta absorboj me ushtrinë e vet. Deklarata e qëndrimi i ambasadorit Kosnett për ushtrinë është në vijën, në atë që ka qenë qëndrim i përhershëm i SHBA-ve se Kosova ka drejt me ushtrinë e vet dhe e kanë përshëndet një transformim transparent, me procedura të rregullta parlamentare”, ka deklaruar Haradinaj për Indeksonline.

Sipas kryeministrit, ushtria është e gjithë Kosovës, e çdo pjese të Kosovës, e të gjithë neve.

“Nuk do të thotë se ushtria do të shkoj me defiluar në veri menjëherë apo do të krijoj provokime e të tjera. Nuk është qëllimi ynë, nuk e bëjmë ushtrinë për veri, por po e bëjmë për paqe, për gjithë vendin tonë, por edhe me dëshirë me i ndihmuar Amerikës, NATO e aleatëve tanë për vendosjen e paqes”, ka thënë kreu i ekzekutivit, duke shtuar se Kosova është anëtar i koalicionit botëror kundër terrorizmit.

Kosova, sipas Hradinajt, ka ndihmuar me e luftu ekstremizmin e terrorizmin dhe dëshira jonë është të ndihmojmë për më shumë paqe, e jo ashtu si e bën Serbia, kur dihet se plot mercenarë serbë sot janë në Rusi e Ukrainë dhe e rrezikojnë Evropën, e ka prej tyre që janë edhe në listën e pagesave të Serbisë, të tjerë janë në Siri e në vende tjera të krizave, janë në anën e Rusisë për destabilizim. Dallimi është i madh mes asaj që bën Kosova për paqe dhe stabilitet.

Kryeministri ka komentuar edhe heshtjen e presidentit Thaçi sa i përket iniciativës së qeverisë dhe Kuvendit për të formuar ushtrinë.

“Presidenti është përkrahës i kësaj teme, ai e ka iniciuar edhe në të kaluarën. Nuk besoj që kemi përçajmë as institucionale as ndërmjet partive për sa i përket ushtrisë. Ai është për, i kam informatat, kam pasur takim me të, ka thënë që do të përkrah formimin e ushtrisë sonë”, ka pohuar kreu i qeverisë, Ramush Haradinaj.

Kryeministri Ramush Haradinaj flet për ushtrinë, taksen, raportet me presidentin Thaçi, koalicionin qeverisës dhe tema të tjera…

Publiée par IndeksOnline sur Mardi 11 décembre 2018

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë