Refuzohet kërkesa për hudhjen e aktakuzës ndaj ish-kryetarit të Drenasit dhe ish-drejtorit të Arsimit

Gjykata Themelore në Prishtinë, të hënën, ka refuzuar kërkesat për kundërshtimin e provave dhe hudhjen e aktakuzës, në rastin e ish-kryetarit të Drenasit Nexhat Demakut dhe ish-drejtorit të Arsimit në këtë komunë, Sadik Tahiraj, të cilët po akuzohen për keqpërdorim detyre.

Sipas kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Shpresa Hasaj –Hyseni, gjykata kishte vendosur që t’i refuzojë këto kërkesa për shkak të natyrës së veprës penale, duke konsideruar se kishte prova të mjaftueshme për vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Demaku në seancën e së hënës, ka thënë se në kohën kur ai kishte qenë kryetar i Drenasit, gjatë viteve 2015-2016, në shërbimet e veçanta kishin qenë të angazhuar tre punëtorë, prandaj si rezultat i nevojave të përkohshme të punës, sipas tij, njëri nga ta kishte qenë edhe Mimoza Berisha, ndërsa dy të tjerë kishin qenë të angazhuar në Drejtorinë e Urbanizmit.

“Njëri prej dy punëtoreve të Urbanizmit vazhdon ende të jetë aty, çka do të thotë se nuk është trajtuar barabartë rasti si ky për çka pi akuzohemi ne”, ka thënë Demaku.

Ai tha se punonjësja Mimoza Berisha, ishte transferuar përkohësisht për shkak të mungesës së të ndjerit Fehmi Bublakut, dhe se drejtoria kishte mbetur vetëm me një inspektor.

Sipas tij, kryetari i komunës nuk e kishte për detyrë kontrollimin e dosjeve të punëtorëve të shërbyesve civilë, përveç atyre të stafit politik dhe së në asnjë rast kryetari i komunës nuk e kërkon dosjen, pasi ai tha se kjo punë i takonte zyrës së personelit.

“Në media kanë shkruar se unë po akuzohem për korrupsion, mu korruptu pa qëllim nuk korruptohet kërrkush…unë në tetor 2016 kam dhënë dorëheqje, punëtorja Berisha ka punuar edhe më tej, i bjen 20 paga mi marrë gjatë kohës sa unë s’kam qenë kryetar, nëse ndonjëri prej punëtorëve ka qenë jo korrekt me ndonjë procedurë, atëherë është dashur në muajin e parë me iu ndalë rroga”, ka thënë Demaku.

Ndërkaq, mbrojtësi i tij, avokati Gazmend Halilaj tha se aktakuza e prokurorisë nuk qëndronte juridikisht, pasi nuk ishte ngritur ndaj personit përgjegjës, i cili kishte pasur për detyrë te zhvillojë procedurat e hapjes së konkursit për vend të lirë pune, procedurave tjera të rekrutimit, seleksionimit.

Ai tha se i vetmi veprim i Demakut kishte qenë nënshkrimi i një akt emërimi për transferim të përkohshëm nga një pozitë në tjetrën për punonjësen Berisha, për të mbuluar një pozitë, me qëllim të plotësimit të nevojave emergjente të zyrës.

Demaku dhe Halilaj kanë kërkuar nga gjykata që kërkesa për hudhje të aktakuzë të aprovohet si e bazuar dhe të pushohet procedura penale.

Kërkesë të njëjtë kanë parashtruar edhe i akuzuari i dytë në këtë rast Sadik Tahiraj dhe mbrojtësi i tij, avokati Blerim Qelaj.

“Arsimi para fillor është obligativ dhe i ligjshëm dhe në asnjë mënyrë nuk mund ti lejmë pa edukatore dhe kemi vepruar në bazë të ligjeve”, ka thënë i akuzuari Tahiraj.

Ndërkaq, avokati Qelaj tha se i mbrojturi i tij ishte njoftuar nga drejtori i shkollës “Ali Gashi” në Drenas, Afet Morina, i cili e kishte njoftuar se njëra punëtore kishte shkuar në pushim dhe se fëmijët kishin mbetur pa edukatore duke kërkuar që të zëvendësohej me ndonjë praktikante.

Ai tha se i akuzuari Tahiraj kishte pasur të drejtë të lidhë kontratë të përkohshme, nga e cila kontratë punëtorja Berisha tha se kishte marrë pagën vetëm për dy muaj, që sipas tij, në asnjë muaj nuk kishin kaluar afatet ligjore për punonjësit që nuk kishin mbaruar universitetin.

“Mbi këtë bazë konsiderojmë se ka kryer punën në bazë të ligjit dhe nuk ka të bëjë asgjë me lidhjen e kontratës në këtë çështje…kërkojmë të hudhet aktakuza dhe Sadik Tahiraj të lirohet nga akuza”, ka thënë në fund avokati Qelaj.

Mirëpo, prokurorja Dulina Hamiti kërkoi nga gjykata që këto kërkesa të refuzohen si të pabazuara dhe të vazhdohet me shqyrtim gjyqësor, pasi sipas saj, këto kërkesa nuk ishin mbështetur në prova.

Pasi gjykatësja Hasaj-Hyseni refuzoi këto kërkesa, mbrojtësit e të akuzuarve kërkuan që lidhur më refuzimin e kërkesave të lëshohet një aktvendim me shkrim, në mënyrë që të shfrytëzonin të drejtën ligjore për ankesë në Gjykatën e Apelit.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 27 shtator 2018, Nexhat Demaku akuzohet se duke shfrytëzuar detyrën zyrtare si kryetar i Komunës së Drenasit, i kishte tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër.

Ai akuzohet se më 10 mars 2015, ia ka lëshuar akt emërimin punëtores Mimoza Berisha në pozitën inspektore e tregut në Drejtorinë e Inspeksionit, në Komunën e Drenasit me kohëzgjatje prej 5 Mars 2015 deri më 5 mars 2016, si dhe me 20 janar 2016, në kohëzgjatje prej 5 mars 2015 deri më 5 qershor 2018.

Këtë akt emërimin, Demaku akuzohet se ia kishte lëshuar Berishës, në Drejtorinë e Inspektoratit të Komunës së Drenasit, me titullin e vendit të punës inspektore e tregut, pa pasur konkurs publik të shpallur duke mos iu nënshtruar procedurave të rekrutimit-punësimit.

Prokuroria për këtë veprim të tij, pretendon se Berishës i kishte sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm në vlerë prej 18,309.01 euro, ndërsa në këtë vlerë është dëmtuar edhe Komuna e Drenasit.

Lidhur me punësimin e Berishës, prokuroria po ashtu pretendon se ka keqpërdorur detyrën edhe ish-drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Drenasit, Sadik Tahiraj.

Sipas prokurorisë, Tahiraj duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër.

Ai akuzohet se më 3 nëntor 2014, ia ka lëshuar kontratën e punës për mësimdhënës Mimoza Berishës me titullin e vendit të punës, edukatore me parafillor në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Ali Gashi” në Drenas, si dhe me 3 nëntor 2014 ia kishte lëshuar asaj vendimin, në pozitën edukatore në atë shkollë, pa pasur konkurs publik të shpallur, dhe e kishte punësuar pa përgatitje shkollore adekuate, duke mos iu nënshtruar procedurave të rekrutimit-punësimit.

Gjithmonë sipas aktakuzës ai me 5 mars 2015, ia kishte lëshuar vendimin Berishës për transferimin e saj në Drejtorinë e Inspeksionit në Komunën e Drenasit në vendin e punës inspektor i tregut, e me ç’rast Berishes i kishte sjell përfitim të kundërligjshme në vlerë prej 756.18 euro, duke i shkaktuar dem edhe buxhetit të komunës në vlerë prej 756.18 euro.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë