DRENAS: Dënohet me kusht i akuzuari që pranoi fajësinë për vjedhje të shërbimeve komunale

Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, e ka dënuar me katër muaj burgim dhe 300 euro gjobë me kusht, të akuzuarin për vjedhje të shërbimeve komunale, Zenë Bajrami.

Por, dënimet me kusht nuk do të ekzekutohen, nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur në seancën fillestare, të mbajtur të martën, pasi paraprakisht i akuzuari e ka pranuar fajësinë lidhur me akuzën që ngarkohet, raporton ”Betimi për Drejtësi”.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurori Dren Paca, i cili propozoi që të merret si rrethanë lehtësuese, sjellja e tij e mirë, sinqeriteti i shfaqur dhe kushtet e vështira ekonomike.

Me rastin e shpalljes së aktgjykimit gjykatësi Shefqet Baleci, tha se ka marrë parasysh rrethanat lehtësuese si pranimi i fajësisë, kërkim falja, premtimi se nuk do të kryej vepër penale, pendimi, kushtet e vështira ekonomike dhe fakti që është mbajtës i familjes.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 13 nëntor 2018, ka ngritur aktakuzë kundër Zenë Bajramit, të cilin e ngarkonte se më 22 qershor 2018, në fshatin Korroticë e Ulët, në Drenas, i pandehuri në shtëpinë e tij ka përvetësuar kundërligjshëm pasurinë e huaj për plotësimin e nevojave të tij.

Sipas aktakuzës i pandehuri ka vepruar në atë mënyrë që ka anashkaluar pikën matëse, duke e zhveshur kabllon furnizuese në hyrje të njehsorit, duke u lidhur tek përçuesi, ka larguar daljen nga njehsori dhe ka vendosur siguresën ashtu që ka pamundësuar regjistrimin dhe faturimin e energjisë elektrike.

Sipas aktakuzës, më këtë veprim i ka shkaktuar dëm material KEDS-it në vlerë prej 248.90 euro.

Më këtë akuzohej se ka kryer veprën penale “vjedhje e shërbimeve komunale” nga neni 320, nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë