Këto janë të gjitha qëndrimet e shteteve të NATO’s për ushtrinë e Kosovës

Për formimin e ushtrisë së Kosovës, brenda NATO’së ka qëndrime aq sa ka edhe shtete. Gazeta Express e ka siguruar një dokument ekskluziv, në të cilin janë bërë të ditura qëndrimet e shteteve të organizatës më të fuqishme ushtarake në botë, për transformimin ose jo të FSK’së në forcë ushtarake. Amerikanët janë pro ushtrisë, por me mandat të kufizuar territorial. Gjermania dhe Turqia befasojnë me qëndrimet e tyre. Britania e Madhe është shumë e qartë.

Insistimi i Qeverisë së Kosovës për ta transformuar FSK’në në ushtri ka ngjallur debat të madh edhe në instancat më të larta të NATO’s dhe Bashkimit Evropian. Kështu, në të ashtuquajturin Ministral i Jashtëm të NATO’s, të mbajtur me 4-5 dhjetor, është diksutuar për Ballkanin Perëndimor me theks të veçantë për raportet e fundit në mes Kosovës dhe Serbisë. Pjesmarrëse në këtë takim të ministrave të vendeve të NATO’së, ka qenë edhe Përfaqësuesja e Lartë e BE’së, Federica Mogherini.

Në një raport ekskluziv që ka siguruar Gazeta Express, bëhen të ditura të gjitha qëndrimet e shteteve anëtare të NATO’së për transformimin ose jo të FSK’së në ushtri të Kosovës.

Në përgjithësi janë shumë të pakta shtetet e NATO’së që janë kundër formimit të ushtrisë së Kosovës. Të qarta në këtë drejtim janë vetëm ato shtete që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, si Spanja e Sllovakia. Mirëpo, numri i shteteve që e kundërshtojnë transformimin e ushtrisë me ligj është pothuajse i barabartë me ato që e mbështesin një formë te tillë.

Kështu, negativ ndaj formimit të ushtrisë është vetë Sekretari i Përgjithshëm i NATO’s, Johan Stoltenberg. Ai ka thënë se Forcat e Sigurisë së Kosovës po transformohen kundër këshillave që i ka dhënë NATO’ja.

“Transformimi i FSK’së në një kohë jo të duhur dhe kundër këshillave të NATO’s është shqetësim për shtimin e tensioneve”, ka thënë Stoltenberg.

Në Mbledhjen e Ministralit të Jashtëm ka pasur shtete që janë deklaruar të shqetësuara për formimin e ushtrisë së Kosovës. Madje as disa prej shteteve, që konsiderohen përkrahëse të mëdha të shtetësisë së Kosovës, nuk e duan transformimin e menjëhershëm të FSK’së, anipse autoritetet e Kosovës e kanë paralajmëruar me 14 dhjetor votimin e Projektligjit për Ushtrinë.

Megjithatë, aksionarja më e madhe e NATO’së, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtet ky që paguan më së shumti për organizatën më të fuqishme ushtarake në botë, nuk i përmend ndryshimet kushtetuese. Amerikanët, sipas dokumentit që e ka siguruar Express, kërkojnë maturi dhe transparencë gjatë gjithë procesit.

“Është e drejtë e Kosovës të ketë ushtri. Ne mbështesim krijimin e ushtrisë në mënyrë graduale, transparente dhe me mandat të kufizuar territorial”, bëhet e ditur nga ky dokument, ku thuhet gjithashtu se SHBA po e përcjell me shqetësim rritjen e ndikimit rus në rajon.

Gjermania thotë se Kosova ka të drejtën që të ketë ushtri, por përfaqësuesi i këtij shteti në NATO e përmend respektimin e kushtetutës.

“Nuk e vëmë në pikëpyetje të drejtën e Kosovës për të pasur ushtrinë e saj. Ushtria duhet të jetë gjithëpërfshirëse, edhe me minoritetin serb, dhe të bëhet në koordinim me aleatët dhe në respektim të kushtetutës”

Interesant është qëndrimi i Turqisë, shtetit që konsiderohet aq mik, sa liderët Erdogan e Thaçi quajnë njëri-tjetrin “vëlla”. Shteti turk i kërkon Kosovës të mos ngutet në veprimet e saj.

“Turqia e respekton të drejtën e Kosovës për të pasur ushtri. Kosova duhet të përmbahet ndaj veprimeve të ngutshme”.

Mogherini në këtë takim ka ripërsëritur se kundërshton taksën që Kosova i ka vënë mallrave serbe e boshnjake. Ndërsa nuk pajtohet as me transformimin e ushtrisë. Ajo i shpreh disa vërejtje të vogla edhe për Serbinë.

Rumania është prej shteteve që ka shprehur shqetësim rreth transformimin e ushtrisë së Kosovës.

“Shprehim keqardhjen për transformimin e nxituar. NATO duhet të shikojë angazhimin në Kosovës dhe reagimin e KFOR’it në rast se FSK shkon në Veri”, ka thënë kryediplomatin rumun.

Edhe Greqia, si një nga shtetet e BE’së që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, është shprehur e shqetësuar për krijimin e ushtrisë.

Pak a shumë në qëndrime të njëjta me këtë të Greqisë është edhe Spanja. Spanja ka një ide të cilën ia ka dhënë NATO’s. Përfaqësuesi spanjoll ka thënë se duhet të ndalohet ndihma e dhënë ndaj FSK’së, nëse Kosova e transformon atë në ushtri.

Shtetet e rajonit në parim janë pro formimit të ushtrisë. Në këtë drejtim më të qartë pro ushtrisë janë Mali i Zi dhe Kroacia. Përfaqësuesit e këtyre dy shteteve nuk e kanë përmendur fare respektimin e kushtetutës, ato thjesht kanë thënë që Kosova ka të drejtë të ketë ushtrinë e vet. Pro krijimit të ushtrisë është edhe Sllovenia, por që kjo e fundit e përmend respektimin e kushtetutës.

Shtetet skandinave nuk kanë shprehur ndonjë qëndrim rreth cështjeve specifike. Kanë thënë vetëm se duhet të mos provokohet situata mes dy shteteve.

Franca i njeh Kosovës të drejtën legjitime për të pasur ushtri, ndërsa kërkon të mos ketë veprime të ngutshme. Ndërsa, e pastër në qëndrim pro krijimit të ushtrisë është Britania e Madhe. Kjo superfuqi ia njeh Kosovës të drejtën për formimin e ushtrisë, pa e përmendur respektimin e kushtetutës.

E, Sllovakia shprehet ashpërisht kundër formimit të ushtrisë së Kosovës.

“Transformimi është shqetësues, më i rrezikshëm se ndryshimi i kufijve. Duhet të vlerësojmë reagimin në rast të operacioneve të mundshme të FSK’së në veri”, thuhet në qëndrimin zyrtarë të Sllovakisë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë