Limaj u kërkon të rinjve të Drenasit dhe Skenderajt të mos heqin dorë nga vendi

Nisma Socialdemokrate ka vazhduar turin e takimeve me të rinjtë e këtij subjekti. Kjo parti ka mbajtur takim të mërkurën në mbrëmje me të rinjtë e Nismës në Drenas dhe Skenderaj.

Kryetari i këtij subjekti, Fatmir Limaj, ka thënë se fjalimin që do ta mbajë me të rinjtë nuk është politikë, por më shumë është fjalim në frymën qytetare dhe prindorë.

Limaj tha se jashtë vendit të rinjtë askush nuk i pret me lule dhe se më mirë se këtu nuk mund të jetojnë askund tjetër.

Kosova, thotë Limaj, ka mundësi që jo numrin aktual të banorëve, por dyfishin me mbajte, nëse secili angazhohet e punon.

“Të gjitha zotimet tona kanë qenë të lidhura me rininë. Dy kryesorët që do t’i besoj me juve është çështja e Aftësimit Profesional dhe Vetëpunësimi. Djem e vajza nëse nuk ju shkon shkolla, merrni nga një zanat dhe shteti ju mbështete. Zanati nuk ju len pa punë. Të rinjtë inovativ me idetë e tyre mund të realizojnë përmes fondit të Vetëpunësimit. Shkoni në Qendra të Aftësimit Profesional dhe ne e marrim përsipër gjetjen e vendeve të punës. S’ka asnjë kërkese nga të rinjtë e Drenasit dhe Skenderajt të cilët kanë bërë një biznes plan për ta mbështetur përmes fondit të Vetëpunësimit”, ka thënë Limaj.

Ëndrra e rinisë, Limaj thotë se duhet të jetë shtetndërtimi. Ai ka thënë se është e pakuptimte liria nëse të rinjtë ikin nga Kosova.

Kryetari i Nismës ka thënë se nëse janë të pakënaqur me qeverinë ta ndryshojnë, por shtetin mos ta shajnë.

Limaj thotë se është e çuditshme me sa lehtësi po hiqet dorë nga vendi.

“A ka mundësi me ju kthy punës. Shteti nuk bëhet pa punu. Nuk niset puna e parë drejtor. Marre është me nejt. Nuk ka pune me marre. Kosova sot kërkon nga ju vetëm të respektoni rregullat dhe ligjin dhe të përkujdeseni për familjet tuaja”, ka shtuar Limaj.

Ai ka kërkuar nga të rinjtë të mos shihet Kosova si vend i huaj.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi, ka thënë se parimet kryesore të Nismës janë: Liria, Drejtësia, Barazia dhe Solidariteti. Për këto tha se njerëzit në Kosovë kanë nevoja të përditshme.

“Liria është ajo që nuk fitohet vetëm njëherë, por liria mbrohet çdo ditë. Liri nuk ka kur tjetrit i cenohet liria. Lufta jonë duhet të jetë për një liri të përditshme dhe për një liri që secili duhet ta mbron. E njëjta gjë mund të thuhet për drejtësinë. Ne jemi të vetëdijshëm se barazi absolutë nuk ka dhe se aty ku nuk ka barazi të barabartë duhet ndryshuar. Të gjithë dëshirojmë që me qenë solidar me ne. Bota ka qenë solidare me ne dhe në saje të atij solidariteti kemi fituar lirinë. Koha është të jemi solidar me njëri- tjetrin. Po kërkoj nga të rinjtë dhe të rejat të ketë ndjenjën e solidaritetit më shumë se çdo moshë tjetër”, ka thënë Krasniqi.

Ai tha se të rinjtë duhet të përqafojnë konceptin socialdemokrat, sepse kështu, sipas tij, do t’i shërbenin qytetarëve të Kosovës.

E, kryetari i rinisë së Nismës Socialdemokrate, Albert Maxhuni, ka ftuar të rinjtë e Drenasit dhe Skenderajt që të jenë aktiv në jetën publike. Ai tha se të rinjtë e këtyre komunave janë përdorur vetëm për votë. Maxhuni tha se Nisma po dëshmohet si parti, e cila u jep hapësire të rinjve. Politikat e Nismës Socialdemokrate, sipas tij, zbatohen dhe nuk mbesin vetëm në sirtarë.

Loading...

Add a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *