Me 28 plisa në kokë komuna e Drenasit uron 28 Nëntorin

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, për nder të 28 nëntorit, bashkë me zyrtarët tjerë komunal kanë bërë homazhe pranë shtatores së Adem Jasharit në Skenderaj dhe kompleksit të Jasharajve në Prekaz, transmeton DrenicaOnline.

Ai, bashkë me zyrtarët komunalë kanë zgjedhur një mënyrë të vecantë për të urur 28 nëntorin. Me 28 plisa në kokë dhe 11 shami në qafë, ata janë përkulur para varrezavë të Jasharajve dhe shtatores së komandantit Adem Jashari.

Postimi i plotë:

Gëzuar 28 Nëntori!

Këtë datë të madhe, 28 Nëntor, Zoti e krijoi dhe ruajti për neve, shqiptarët. Në këtë ditë u kthye kryezoti Skënderbe në Krujë, Ismail Qemali ngriti Flamurin në Vlorë duke shpallur pavarësinë, Bacit Shaban në këtë ditë, iu shtue familja me një djalë, Ademin që do të bëhet Komandanti ynë legjendar. Po ashtu, në këtë ditë, ushtria jonë e lavdishme, UÇK, rikonfirmoi praninë e saj, deri në çlirim.

Sot, së bashku me asamblistë e drejtorë të komunës së Drenasit, nderuam me homazhe duke vënë kurora me lule në shesh, pranë shtatoreve të heroit dhe heroinës, Fehmi e Xhevë Lladrovci, me plisa në kokë. Kështu, nderuam të gjithë heronjtë, dëshmorët dhe martirët e lirisë nga komuna jonë.

Nga sheshi “Fehmi Lladrovci”, u nisëm në sheshin “Adem Jashari” në Skënderaj, vendosëm kurora me lule dhe pastaj u drejtuam në Prekazin legjendar, bashkë me birin e heroit tonë, Hamzës, Kryetari Bekim Jashari, me bashkëpunëtorë, me 14 plisa bashkë me 14 plisa nga Drenasi, sajuan numrin 28, duke dëshmuar unitetin tonë, unitetin e Drenicës dhe Kosovës. Në mesin tonë, pos 28 plisave i patëm me vete edhe 11 shamia të kuqe, që bartin mesazhin e nëntorëve tanë krenar.

Ashtu, me 28 plisa në kokë dhe 11 shamia, u përkulëm me nderimin më të madh, para Komandantit legjendar, Adem Jasharit, Hamzës, Bacës Shaban dhe Jasharajve tjerë, me zotimin se do të punojmë sa më shumë e sa më mirë që ata të jenë krenar me neve. Pas Prekazit, u nisëm të gjithë së bashku për Marinë, ku bëmë homazhe dhe vendosëm lule pranë 158 heronjve të UÇK-së, për të ecur pastaj Bekimi dhe Unë, secili në komunën e vet, me asamblistë, drejtorë e qytetarët ku nderuam dëshmorët tanë në vendet ku ata janë varrosur.

Ne jemi krenar me zbatimin e amanetit të dëshmorëve për ndërtimin e shtetit ku sundon ligji, mirëqenia dhe siguria.

Lavdi e përjetshme për heronjtë, dëshmorët dhe martirët e lirisë.

Urime 28 Nëntori!

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë