Përkujtohen heronjtë Bedri Shala e Bekim Berisha-Abeja
Më rastin e 23-vjetorit të rënies heroike të Bedri Shala e Bekim Berisha-Abeja, kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci së bashku me kryesuesin e Kuvendit Komunal, Labinot Halilaj, drejtor të drejtorive komunale, anëtarë të Kuvendit dhe familjarë të heronjve, kanë bërë homazhe në përkujtim dhe nderim të jetës dhe veprës së tyre.
Me këtë rast, ata kanë vendosur buqeta me lule të freskëta pranë shtatores së Heroit Bedri Shala, në sheshin “Fehmi Lladrovci” në Drenas dhe në Kompleksin e Dëshmorëve në Marinë.
Me këtë rast, kryetari Lladrovci tha se “Sot, kujtojmë me nderim heronjtë e kombit të Betejës së Junikut, Bekim Berisha, Bedri Shala, Përmet Vula, Elton Zherka dhe Bashkim Leku. Në përvjetorin e kësaj beteje dhe rënies në altarin e lirisë, kujtojmë me nderim të thellë heronjtë e kombit të cilët iu bashkuan UÇK-së nga mërgimi dhe nuk u zmbrapsën nga sulmet e ushtrisë okupatore, deri në flijim”.
Bedri Shala ra heroikisht më 10 Gusht të vitit 1998 gjatë luftimeve në mbrojtje të Junikut, bashkë me Bekim Berishën-Abeja si dhe bashkëluftëtarët, Elton Zherka e Përmet Vula, ndërsa ditë më parë, ra heroikisht edhe heroi Bashkim Leku.
Lavdi e përjetshme Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!