Vrasja e 9 vjeçares në Dobroshevc/ Petrit Hajdari: Motër kaluan vite prej kur buzëqeshja jote u pre!

Besmira Hajdari, 9 vjeçe, nga Dobroshevci i Drenasit ishte ekzekutuar në gjumë nga një paramilitar serb me një plumb në zemër.
Sot është përvjetori i vrasjes së saj ku janë bërë homazhe tek lapidari i ngritur në oborrin e shkollës fillore “RILINDJA” -Dritan (Dobroshevc), shkruan DrenicaOnline.
Vëllai i Besmires, Petrit Hajdari ka thënë se nga ajo ditë gjithçka është e zymtë për të dhe familjen e tij.
Statusi i Petritit i plotë:
Besë, kanë kaluar vite prej kur buzëqeshja jote u pre. Gjithçka prej asaj dite e tutje është e zymtë. Ti ishe një fëmijë plot jetë dhe jeta t’u ndërpre ende pa nisur mirë. Sot, përveçse kujtim e boshllëk në gjoks për të gjithë ne, ti je edhe argumenti më i fortë që tregon se pushtuesit e egër nuk ndalen para asnjë kufiri moral e njerëzor: ata vrasin, sepse vrasja është gjuha e tyre.
Çdo vit i radhës, na nxjerr një hap më larg kohës kur ti u ndave nga ne, por veçse na ofron me kujtimin tënd. Sepse, të tilla janë kujtimet. Vlera e tyre matet në kohë.
Ti ishe një fëmijë i ëmbël, në lule të fëmijërisë, e cila u vyshk para kohe. Por, kujtesa nuk vyshket, motër. Ajo është gjithmonë aty, kokëfortë, këmbëngulëse, duke na e përplasur para fytyre çdo mëngjes, faktin që mëngjeset tona e kanë humbur shkëlqimin.
Motër, çdo borë e re që të mbulon, çdo verë e re që vjen, na bën të kapemi edhe më fuqishëm ndaj kujtimit tënd. Sepse ndërrimi i stinëve nuk e ka as gjysmën e fuqisë së buzëqeshjes tënde. Ti tani nuk buzëqesh, sikur edhe mijëra fëmijë të tjerë që iu bënë theror vendit, por unë prandaj e di sa e fuqishme ishte buzëqeshja jote: edhe nga gremina e dekadave, ajo na mbërrin.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për ty! Do të kujtohesh gjithmonë si e buzëqeshur, ngaqë buzëqeshjen s’ta sfidojnë dot as kufinjtë e botërave.
Me dashuri, e dhimbje që s’venitet,
Vëllau yt.