Drenica, orë zgjimi e ndërgjegjes kombëtare
Shkruar nga Mehmet Hajrizi
Vitet e luftës së UÇK- së Drenicën e nxorën edhe njëherë nga dollapët e dosjeve e kronikave të pluhurosura, të lëna në harresën e më shumë se një gjysmë shekulli. Kjo krahinë në zemër të Kosovës, e lënë pas dore jo vetëm nga Beogradi që po i nxirrte hak për telashet e shumta që kishte pasur me të, por edhe nga vetë kosovarët, ngeli visi më i varfër e më i pazhvilluar i Kosovës dhe i gjithë Ballkanit.
Drenica tërhoqi vëmendjen e të tjerëve vetëm duke shkrehur armët, si në kohën e Ahmet Delisë në fillim të shekullit, të Azem e Shote Galicës dhe të Shaban Polluzhës, në mes dhe të Tahir Mehës e të Adem Jasharit, në kapërcyell të këtij qindvjetëshi. Luftërat e Drenicës kanë qenë gjithmonë si alarme përkujtimi, por mbi të gjitha ato ishin orë zgjimi e ndërgjegjes kombëtare, sa herë kjo dremitej.
Epiteti e “kuqe” që i bashkëngjitet zakonisht emërtimit “Drenicë” ka kuptimin e gjakut të derdhur të drenicarëve për liri. Ky gjak nuk u derdh vetëm për lirinë e “Arbënisë së Vogël” , siç u quajt një kohë Drenica, po bashkë me gjakun lumë të të gjithë shqiptarëve për shpëtimin e kombit shqiptar dhe të Atdheut të tij. Drenica e luftërave dhe e ndëshkimit u bë monument i gjallë i trimërisë e heroizmit dhe i varfërisë e mjerimit njëkohësisht. Drenica e paradokseve, si gjithë Kosova e Shqipëria… Një këngë për Shote Galicën thotë me mburrje: “Burri saj Azem Galica / hiç ma trim se pau Drenica”, por një tjetër fshikullon: “Azem Bejta, Azem Galica / ta pa sherrin krejt Drenica”.
Viteve të rënda të sundimit gati njëshekullor serbomadh në Kosovë, Drenica vuri veten disa herë në sprova tepër të vështira, duke martirizuar popullatën e vet, për të shënuar kështu faqe të lavdishme në historinë e lëvizjes së rezistencës kundër sundimit të huaj. Por ajo vuri para sprovash edhe tërë Kosovën.
Vetëm dy vite më parë, Drenica e përfshirë nga flakët e luftës braktiste vatrat e veta për të kërkuar strehim përreth saj. Edhe në Prishtinë, në kryeqytetin e Republikës, si thuhej. Por kryeqyteti i Kosovës atëherë nuk ishte Prishtina. Kryeqyteti ishte zhvendosur diku në Drenicë e në fushëbetejat tjera të Kosovës; atje ishin vendosur edhe kamerat e qendrave botërore televizive. Atje bëhej jo vetëm lufta, por edhe politika e diplomacia, atje farkohej fati i Kosovës. Prishtina atëherë fliste për Drenicën me respekt, solidarizohej me të dhe hapte dyert për të pritur drenicarët, ajo dërgonte ushtarë në Drenicë, por Prishtina kishte edhe frikë njëkohësisht nga Drenica e nga lufta në përgjithësi. “Azem Bejta, Azem Galica…” Në Prishtinë banonte trimëria, por edhe frika, besimi, por edhe skepsa, bujaria e solidariteti por edhe shpirtngushtësia.
Prishtina, prototipi i Kosovës, përziente ndjenjat në kohë lufte. Drenica sikur edhe zonat tjera të luftës, me të drejtë vinin në Prishtinë që të kërkonin strehim, të kërkonin bukë e rroba, për popullin e ushtarët, të kërkonin paratë për armë, mbështetje politike, të kërkonin bashkimin me UÇK-në…Kërkonin e kërkonin dhe e venin para sprovash Prishtinën, e jo vetëm Prishtinën. Prishtina, atdheu i politikanëve të të gjitha ngjyrave e të gjitha farkave, të të gjitha kallëpeve e të gjitha markave priste në ankth e me shpresë. Filistinët herë dridheshin, herë grindeshin e herë fërkonin duart për pazarin politik që do t’ u ecte.
Si u kapërcyen këto sprova, ose a u kapërcyen këto sprova le të vlerësojmë esëll një ditë, por ne jemi para sprovash të reja që i nxjerr paslufta. A do t’ i kapërcejmë dhe si do t’ i kapërcejmë ato?
Drenica e epopeve, Drenica që barti barrën më të rëndë të luftës, tashti bart barrën e varfërisë. Drenica e rrënuar dhe e sfilitur nuk ka forcë të ngritet vetë më këmbë. Ajo kërkon ndihmën ndërkombëtare për rindërtim dhe do t’ i jepet, por nuk do t’ i mjaftojë. Ajo kërkon ndihmën e solidaritetin e bashkëkombësve të vet e s’dihet ende si do t’ i përgjigjen. Drenica e krenarisë sonë i ka shpëtuar fëmijët nga lufta (por jo të gjithë) e s’ka ushqim të mjaftueshëm sot për ta, ajo po i zbulon çdo ditë të rënët e viktimat e luftës nëpër varre masive e s’ka arkivole për t’ i varrosur siç e do dinjiteti njerëzor, ajo nderon me pietet dëshmorët e lirisë, por s’ mund t’ u sigurojë as një ndihmë të rastit familjeve të tyre, ajo respekton luftëtarët, por asnjë punë s’ mund t’ ua sigurojë për të bërë jetën, ajo s’ka mundësi madje as të plagosurit e luftës t’ i shërojë e rehabilitojë. Muaj të tërë vitin e kaluar është pritur në Drenas të Drenicës që të gjendej një donator për të hequr shpenzimet për arkivole të mbi njëqind të vrarëve të gjuajtur gropave të quajtura varreza masive. Pothuaj çdo ditë Drenica përkujton dëshmorët e lirisë e s’ka mundësi një muranë t’ u bëjë rreth varrit. Ne të tjerët, pasanikë e të varfër, në ndërgjegje a në mall, mund të krenohemi sa të duam nëpër përvjetorë me Drenicën, por a do të ndjehet vallë ajo krenare me shkopin e lypsarit në dorë?
Por dinjitetin e drenicarit nuk e cenon vetëm gjendja e tij ekonomike. Ai s’ ka qenë kurrë ekonomikisht mirë, po dinjitetin e krenarinë kombëtare i ka ruajtur. Atë e cenojnë edhe fyerjet, përçmimi e denigrimi që i bëhen nga anë dhe grupe të ndryshme interesash në Kosovë. Sfondi politik i kësaj dukurie është zhvlerësimi i vetë luftës çlirimtare dhe i UÇK-së. Dukuria e edukimit të urrejtjes dhe të përbuzjes nga qarqe të ndryshme në Kosovë, jo vetëm për Drenicën, por në një shkallë më të gjerë, madje edhe për Shqipërinë, është padyshim shumë serioze dhe do trajtim të veçantë.
Në qoftë se vëllezërit e drenicarëve nuk mund t’ ua ndërtojnë atyre shtëpitë, të paktën mund t’ ua lehtësojnë gjendjen duke bashkuar ndihmat me ato të donatorëve të huaj. A do të jetë Drenica prioriteti ynë? Ky është borxhi ynë moral, politik e patriotik ndaj saj.
Më 5 maj 2000 (Zëri)