Mbahet debati me qytetarë për Planin Komunal për Zhvillimin Institucional të Kujdesit Parësor Shëndetësor 2020-2024

Komuna e Drenasit, përkatësisht Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, sot ka mbajtur debat publik me qytetarë për Planin Komunal për Zhvillimin Institucional të Kujdesit Parësor Shëndetësor 2020-2024.
Në këtë debat që është mbajtur në sallën e Kuvendit Komunal kanë marrë pjesë, Drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Arsim Haxhiu, Grupi Punues i Hartimit të PKZHIKPSH, ekspertë të fushave të ndryshme dhe qytetarë.
Drejtori Arsim Haxhiu në fjalën hyrëse ka falënderuar të pranishmit dhe grupin punues që kanë kontribuar në hartimin e këtij plani dhe ka vlerësuar se ky dokument do të ndikoj në ofrimin e shërbimeve efikase shëndetësore, të integruara dhe të qasshme për të gjithë komunitetin e Drenasit.
“Shëndet më i mirë për të gjithë, më shumë vite jetë, nëpërmjet shërbimeve shëndetësore, cilësore, të qëndrueshme dhe të përballueshme për të gjithë banorët e Komunës së Drenasit”, është qëllimi dhe vizioni që synohet të arrihet nëpërmjet Planit Institucional Komunal të Kujdesit Parësor Shëndetësor.
Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor është program mbështetës, 4 vjeçar i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, ndërsa në hartimin e tij janë përfshirë profesionist nga të gjithë sektorët e nevojshëm.
Të pranishmit kanë dhënë komentet dhe vërejtjet e tyre lidhur me Planin Komunal për Zhvillim Institucional të Kujdesit Parësor Shëndetësor që përfshinë periudhën 2020-2024.