BOSNJA I BËN FTESË KOSOVËS QË TË NEGOCIOJNË PËR TAKSËN

Krerët e shtetit të Bosnjë e Hercegovinës i janë drejtuar Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës për të negociuar me zyrtarët kosovarë rreth taksës që qeveria i ka vënë produkteve serbe dhe boshnjake.

Kosova do t’i përgjigjet kësaj ftesës për takim pas një jave. Ministri i Tregtisë, Endrit Shala thotë se nuk lëkundën nga qëndrimi i tyre, ndonëse presioni i ndërkombëtarëve ndaj qeverisë është intensifikuar.

Ministri Shala ka treguar se me ftesë të autoriteteve boshnjake, ai, do të dërgojë ekipin e tij në këtë takim.

Ai thotë se atje do të shkojnë vetëm për të qartësuar qëndrimin e Kosovës të vënies së taksës prej 100 për qind ndaj produkteve me origjinë serbe e boshnjake.

“Marrëveshja e CEFTA-s parashikon konsultime të tilla. Bosnja na ka thirrur, stafi im shkon dhe e qartëson pozicionin tonë dhe arsyet pse kemi vendosur këtë masë 100%”, është shprehur ministri.

Ftesës, siç tregon Shala, nuk do t’i përgjigjen zyrtarët e lartë shtetërorë.

“Marrin pjesë stafi teknik/profesional që e përfaqëson Kosovën në CEFTA-s”, ka thënë Shala.

Qeveria kosovare në fillim të nëntorit vendosi taksë prej 10 për qind ndaj produkteve me origjinë serbe dhe boshnjake.

Një ditë pas dështimit për t’u anëtarësuar në organizatën ndërkombëtare të policisë (INTERPOL) kjo taksë u rrit në 100 për qind.

Kryeministri Ramush Haradinaj vlerësoi se Serbia, si importuesja më e madhe, meriton taksën si kundërpërgjigje ndaj fushatës së ashpër kundër shtetësisë së Kosovës.

Ndërsa Bosnja dhe Hercegovina do të sanksionohej për çështje të reciprocitetit.

Qeveritarët thonin se kjo masë ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës u mor për shkak pengesave që u bëhet biznesëve kosovare dhe moslejimi i automjeteve nga Kosova të hyjnë në territorin e Bosnjës.

Kur kanë kaluar dy muaj që nga sanksionimi i dy shteteve që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës dhe nuk njohin simbolet e saj, është shtuar presioni nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për heqjen e taksës.

Kryeministri Haradinaj nuk ka pranuar kërkesën e ndërkombëtarëve, madje ai në fillim të javës tha se, me gjasë nuk mund të udhëtojë për në Uashington për shkak të klimës së krijuar nga vendosja e taksës.

Është raportuar se kryeministrit Haradinaj i është refuzuar viza amerikane si kundërpërgjigje ndaj refuzimit të tij për t’ia hequr taksën Serbisë dhe Bosnjës./Express/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë