“Na kan dëbu shkijet në 99’”! Gjermani me plis ndihmon familjen e vuajtur në Kosovë

Një histori vuajtjesh dhe dhimbje, një familje me 3 fëmijë, më i madhi i sëmurë dhe një baba që me forcë shtyn me duart e tij ngritjen e një shtëpie të re, që të vegjlit e tij të mund të jetojnë qetësisht.
Ndodhemi në fshatin Dobratin të Podujevës, një fshat i vogël i Kosovës i goditur si shumë vende të tjera në vitet e luftës nga ushtritë serbe. Lufta ka mbaruar dhe në fshat gjen disa shtëpi të rindërtuara, por ajo e familjes Ademi mbetet ende siç ka qenë ditët kur fshati u sulmua nga forcat serbe.
Kryefamiljari Isuf Ademi rikujton kohën kur është larguar nga shtëpia e tij. 152 banesa u dogjën dhe një dyzinë njerëzish u vranë nga serbët. Ademi thotë se ndejti në disa shtëpi e më pas kur u hoqën të gjitha minat, u rikthye në banesë.
ISUF ADEMI: Djalin e madh e kam të sëmurë me epilepsi. Deri në 4-5 vite e kam patur në shoqatat… më thonin vonesë vonese, për të folur, për të ecur… por jemi pajtu, çka me i bo, ça vjen prej Zotit është e mirëseardhur…




Vijnë ngahera momente, por i përballojmë… skamja, s’un jam bëjmë dot, kushtet e mira me ja bo qysh i nevojitet. Unë jam i papun, punoj ku ka punë në ndërtimtari. Të ardhura një 75 eurosh. Kapak më ndihmojnë dhe shoqnia. Vajza shkon në shkollë, në klasën e 9, kurse djali në klasën e 7. Ata mësojnë, por jo kjo shpi i pengon. Banojmë prej 7 vitesh… Kjo është shtëpi para 40 vitesh… na kan dëbu shkijet në 99’, i pamartuar kam qenë. Kemi nejt një kohë nëpër shtëpi të huaja, e kur është hek dënimi i minave jemi rikthy.



Por sot, lufta e vërtetë e Isufit janë fëmijët e tij. Duart e kryefamiljarit janë me shenja, kallo dhe të çara, që tregojnë për ato punë të rënda që ai gjen për të mbajtur në këmbë shtëpinë. Problemi kryesor është fëmija i madh, Genteiti. 18 vjeç dhe nuk flet, por sytë e tij flasin qartë. Genti është i sëmurë me epilepsi dhe kur dëgjon motrën e vëllain e vogël të 18 vjeçarit, gjëja e parë për të cilën ata flasin është mirëqënia e të vëllait.
Fëmijët thonë se kur do të rriten, ata do t’i ndihmojnë shqiptarët. Veçanërisht djali i vogël Endriti. Ëndrra e tij është të hapë autoshkollën dhe ti mësojë falas ata që kanë nevojë.
VAJZA: Kisha dëshirë të më ujdiset vëllai, të kthehet në gjendje të bukur sikur ne. Kisha shumë dëshirë të kem një dhomë por ne si këna kushtet. Kur të rritem edhe unë do ju ndihmoja.




ENDRITI, DJALI I VOGËL I FAMILJES: Vëllai im është i sëmurë, dëshiroj të jetë mirë. Kam qejf të hap autoshkollën dhe ti mësoj njerëzit të ngasin makinën. Nëse vjen dikush tek autoshkolla ime, unë mundem t’i ndihmoj ata pa lekë. Dua të më ndihmojnë vetëm për një dhomë, të mësoj dhe në fund ta shoh mamin dhe babin të lumtur.
Nëna e fëmijëve thotë pak fjalë, por sytë e saj qëndrojnë të përulur dhe flasin më shumë se vetë fjalët.
NËNA: Bie shi, murmuron… tutem. Është e vështirë. Kam qejf kjo shtëpi me u rregullu, me kon dhe mo mir… më dhimbset fëmija. Shpesh shkoj e mërzitme.
Isuf Ademi shpesh herë e përmend Zotin dhe thotë se tek ai e gjen forcën. Dhe kur Isufi flet për Zotin, në mendje i vjen vëllai që ka humbur.

ADEMI: Zoti na e mat mendjen… por dëshira është me ja bo fëmijëve një dhomë, mos me i pengu që të studiojnë.
Vetëm tek Zoti e gjej forcën, ai m’jep forc e disi ja dalim. Një vëlla m’u ka mbyt në bunar… aty po, aty me duart e mia kam dash me u hedh prej bunarit posht…
Por pavarësisht luftës së përditshme, kryefamiljari nuk është dorëzuar. Pak e nga pak dhe ja ka nisur të vërë themelet për shtëpinë. Shumë miq e kanë ndihmuar, por veçanërisht, një gjerman thotë Isufi, që as emrin nuk ja di.
ISUF ADEMI: Gjatë sezonit veror punoj punë private. Pak e kom pagu, dy thasë, tre, katër, pesë… më ka ndihmu një mik që e falënderoj nga zemra. Është Hysen Rrahmoni, lindet në Gjermani. I vjen një shok gjerman dhe më ka ndihmu ai… as emrin nuk ja di.
Dëshira ime është me e taku, me e falenderu nga zemra, por s’mundem me shku në Gjermani.
Emisioni “Shqiptarët për Shqiptarët” ka arritur të komunikojë me shtetasin gjerman. Gerhard Nottbeck quhet bamirësi që ka ndihmuar me të holla familjen Isufi. Në lidhjen me video mes tij dhe emisionit, menjëherë të bie në sy se Gerhard qëndron prapa simboleve të shqiptarëve. Një çifteli ndodhet aty pranë dhe një plis po ashtu në kokën e gjermanit. Gerhard thotë se e ndjeu të nevojshme që ta ndihmonte familjen kur rasti ju prezantua nga miku i tij shqiptar.
GERHARD NOTTBECK: Unë me shokun tim kam ardhur te kjo familje, disa gjëra ushqimore për t’ja dhuruar dhe kur e pashë shtëpinë e shkatërruar, kur i pash themelet dhe vendimin e shokëve që ta ndihmojnë këtë familje, unë e pash që zotëria e ka nisur ndërtimin e shtëpisë dhe ndjeva një nevojë që t’ja zgjas dorën e ta ndihmoj.


Si ndiheni që ndihmoni një familje që se njihni?
Nuk është e rëndësishme. Zoti i do të gjithë njerëzit… Kush ka nevojë për ndihmë e mbështetje, ai duhet ndihmuar.
Me mbylljen e komunimikit mes emisionit “Shqiptarët për Shqiptarët” dhe gjermanit, Gerhard Nottbeck vë dorën në zemër ashtu si shqiptarët, ndërsa në studio e falenderojnë me titullin një gjerman me zemër shqiptari.

Përmes Elvis Naçit, emisioni ka premtuar se do të bëjë çmos që të përfundojnë shtëpinë e familjes Ademi. Muaji nëntor është dhe do të mbetet i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët kudo ata ndodhen…
ELVIS NAÇI: Emisioni duhet ta mbyllë deri në gjënë e fundit që ka nevojë kjo familje. Deri në datat e festave të Nëntorit, kjo familje duhet të ketë një dhomë ku ata të lexojnë e të studiojnë.
SIDRIT BEJLERI: Ai flamur që valëvitet aty më pëlqen. Ai simbol na bashkon të gjithëve.


Emisioni mbyllet me thirrje për të ndihmuar ende fëmijët e familjes Ademi.