Feronikeli nis përgatitjet me tri përforcime e dy largime (VIDEO)

Kampioni i Kosovës në futboll, Feronikeli të mërkurën ka nisur përgatitjet për sezonin e ri pranveror.

Në stërvitjen e parë të klubit në vitin e ri, trajneri Afrim Tovërlani, ka pasur të pranishëm të gjithë futbollistët përfshirë edhe tri përforcimet e fundit.

Feronikeli ka angazhuar lojtarin e krahut të majtë Yll Hoxha që vjen nga Vllaznia e Shkodrës, ka marrë sulmuesin e Prishtinës, Labinot Osmanin, si dhe portierin e Gjilanit, Faton Malokun, raporton KTV.

Për kapitenin e ekipit, Fidan Gërbeshin, do të jetë një luftë shumë e madhe deri në fund, por se ka besim te lojtarët e tij dhe thotë se suksesi nuk mund të mungojë në fund.

Nga ekipi kanë kërkuar largimin sulmuesi Përparim Livoreka dhe portieri Deniz Troshupa.

Skuadra nga Drenasi, javën tjetër udhëton për në Antalia të Turqisë, për fazën e dytë të përgatitjeve.

Ndërkohë, menjëherë pas rikthimit nga Turqia, skuadra e udhëhequr nga Tovërlani do të nis përgatitjet për takimin e parë në kuadër të Kupës së Kosovës, ku do të përballet me Llapin e Tahir Batatinës.

Ndeshjet e rrethit të pestë të kësaj gare do të zhvillohen më 19-të shkurt.

Në ligë, Feronikeli radhitet i katërti në tabelë me gjashtë pikë larg liderit, Trepçës ’89-të.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë