Atdhe Nuhiu, sulmuesi i skuadrës angleze Sheffield Wednesday, shpreson të debutojë me Kosovën në mars.
Sulmuesi shtatlartë i skuadrës angleze Sheffield Wednesday, Atdhe Nuhiu, shpreson të debutojë në muajin mars me fanellën e Përfaqësueses së Kosovës. Ish-reprezentuesi i ekipit Shpresa të Austrisë është duke pritur lejen nga FIFA për të ndërruar përfaqësuesen.
“Kosova ka bërë një numër të madh të lojtarëve dhe nuk e di se si janë planet e trajnerit. Por shpresoj që së pari të vijë leja për mua në fillim të vitit të ardhshëm. Por se a ndodh apo nuk ndodh, këtë nuk mund ta them”, ka deklaruar Nuhiu për Kohën Ditore.
“Nuk varet më asgjë prej meje. Unë kam shprehur gatishmërinë t’i bashkohem Kosovës. Sa më shpejt që vjen leja, aq më mirë si për mua ashtu edhe për Kosovën. Pritja nuk është në favorin e askujt. Unë shpresoj të paraqitem në mars me Kosovën”, ka shtuar ai.
Kosova në muajin mars do ta zhvillojë ndeshjen e pestë eliminatore për kampionatin botëror “Rusia 2018” ndaj Islandës.
Këtu mund t’i shihni disa nga golat e Nuhiut në sezonin 2015/2016